Maqedoni

Osmani nga Berlini: Bundestagu do të japë dritë jeshile për RMV-në

19.09.2019 18:45

Në pritje të Samitit të tetorit të Këshillit të BE-së, zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani...

Në pritje të Samitit të tetorit të Këshillit të BE-së, zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, vazhdon turneun  në vendet kryesore evropiane.
 
Gjatë vizitës në Berlin, Osmani ka marrë konfirmim të plotë nga ministri gjerman për Evropë, Michael Rot, se do të lobojë fuqishëm në seancën e Bundestagut gjerman më 26 shtator kur do të vendoset për eurointegrimin e Maqedonisë së Veriut.  
 
“Mora konfirmim për mbështetje të fuqishme nga Gjermania dhe votë PËR në Këshill, por edhe pritje që Bundestagu do të aprovojë bindshëm rekomandimin e KE-së për fillim bisedimesh. Ajo që gjithashtu ishte moment i rëndësishëm dhe i mirë për mua ishte letra për mirëseardhje nga kryetari i Bundestagut, që të marrë pjesë në  seancën plenare të Bundestagut gjerman në javën e ardhshme në atë moment kur Gjermania do të aprovojë vendimin për fillimin e bisedimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe BE-së”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
 
Osmani është referuar në Berlin për aktualitetet e fundit në vend, duke shprehur bindje për këmbënguljen dhe përkushtimin e qeverisë për largimin e të gjitha vërejtjeve formale të cilat mund të paraqesin sfidë për vendimin në tetor. 
 
Nga Berlini, Osmani udhëton për Varshavë, ku do të realizojë takime me krerët shtetërorë të Polonisë.  
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU