Maqedoni

Eurointegrimet, mbështetja e Sofjes jo më e pakushtëzuar

19.09.2019 19:13

Bullgaria do ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në integrimin evropian, por jo në llogari të historisë dhe identitetit bullgar...

Bullgaria do ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në integrimin evropian, por jo në llogari të historisë dhe identitetit bullgar, ka thënë presidenti, Rumen Radev, në takimin me përfaqësuesit bullgarë të Komisionit të përzier multi-disiplinar të ekspertëve për çështje të arsimit dhe historisë.
 
Nëse këshilli i BE-së rekomandon fillim të negociatave, por  një pjesë e çështjeve historike bilaterale kontestuese mbeten pa zgjidhje, Radev sugjeron që Sofja të ketë “pozicion të ri” ndaj Maqedonisë së Veriut dhe t’i mbrojë interesat kombëtare bullgare. 
 
“Nëse ju mund të jepni garanci se për një muaj Komisioni do t’i zgjidh të gjitha çështjet e debatueshme, atëherë Qeveria bullgare mund të vazhdojë politikën e mbështetjes së pakushtëzuar të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Mirëpo, nëse nuk mund të jepet një garanci e këtillë, Qeveria duhet të ndërmarrë masa konkrete dhe të marrim një pozicion të ri me kritere të qarta për mbrojtjen e interesit kombëtar bullgar. Nuk do të lejojmë probleme të pazgjidhura ndërfqinjësore të hyjnë në familjen tonë evropiane”,- tha presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
 
Edhe përkundër kësaj deklarate, mbështetje për hapjen e negociatave ka shprehur zëvendëskryeministrja bullgare dhe ministre e punëve të jashtme, Ekaterina Zaharieva, e cila në takimin me kryetaren e Komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit shqiptar, Mimi Kodheli, tha se Sofja është një prej mbështetës më të mëdhenj të idesë që Shkupi dhe Tirana t’i fillojnë negociatat me BE-në në tetor dhe ndarja e të dyja vendeve do të ishte një gabim historik.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI