Maqedoni

Zvogëlimi i ndotjes së ajrit në Tetovë, 25 mln den. subvencione për filtra për mobilieritë

19.09.2019 19:28

Ministria e Ekologjisë ndan subvencione për vendosje të filtrave në ndërmarrjet për prodhimin e mobileve që ngrohjen...

Ministria e Ekologjisë ndan subvencione për vendosje të filtrave në  ndërmarrjet për prodhimin e mobileve që ngrohjen e sigurojnë nga mbetjet e materialeve me të cilat punojnë.
 
Nga këto subvencione mund të përfitojnë dhjetëra ndërmarrje të vogla e të mesme në rajonin e Pollogut, të cilave zëvendësministri i Ekologjisë, Jani Makraduli, u bëri thirrje të aplikojnë në këtë pilot projekt. Shuma e përgjithshme e ndarë për këtë qëllim është 25 milion denarë. 
 
“Shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që merren me përpunim të drurit, që të aplikojnë dhe do të fitojnë subvencione qind për qind nga ana e Qeverisë për instalimin e filtrit në oxhaqet ku zhvillohet procesi i ngrohjes. Përparësi kanë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Kriter është edhe numri i të punësuarve, pra ka një sërë kriteresh që nëse ka më tepër të interesuar, përparësi do të kenë ndërmarrjet më të vogla”,- tha zëvendësministri i Ambientit Jetësor, Jani Makraduli. 
 
Ideja për këtë masë kundër ndotjes së ajrit ishte e organizatës “Eco Guerilla”, por drejtuesit e saj thonë se afati për paraqitje për përfitimin e subvencioneve është shumë i shkurtër e kërkojnë të shtyhet në mënyrë që më shumë ndërmarrje të njoftohen e të aplikojnë.   
 
“Data 23 shtator është afat shumë i shkurtër për t’i informuar të gjitha ndërmarrjet, sepse dje kemi komunikuar me numër të madh të ndërmarrjeve që nuk e kishin idenë se është hapur kjo thirrje, prandaj kemi kërkuar që thirrja të zgjatet të paktën dhjetë ditë pas datës 23”,- u shpreh Arianit Xhaferi nga “Eko Guerilla”.
 
Në kuadër të masave kundër ndotjes së ajrit, Ministria e Ekologjisë ka lëshuar mjete financiare në vlerë prej 5 milion denarësh edhe për komunën e Tetovës.
 
BELINDA KOKA ADEMI