Kulturë

FNP “Ditët e Naimit”, Fiona Sampson - laureate e edicionit të 23

19.09.2019 19:58

Poetja angleze, Fiona Sampson, është laureate e edicionit të 23 të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”...

Sampson ka botuar deri më tani 27 libra, të përkthyera në mbi tridhjetë gjuhë të ndryshme. 
 
“Vlerësimi dhe vendimi i jurisë për dhënien e çmimit të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, për poeten nga Anglia, Fiona Sampson, është vlerësim për krijimtarinë e pasur dhe të çmuar të saj, si dhe shprehje e vlerësimit të lartë për gjuhën e bekuar të poezisë,e cila,me magjinë e artit të saj, ka aftësinë që t’i kapërcejë kufijtë gjuhësorë dhe regjionalë dhe të kthehet në një pasuri shpirtërore për njerëzit kudo në botë”,- u shpreh anëtari i jurisë, Xhelal Zejneli.
 
Në një letër drejtuar jurisë së festivalit të poezisë, të cilën e zbuloi publikisht drejtori i festivalit, Shaip Emërllahu, poetja Samspon shprehet e nderuar dhe e lumtur që poezitë e saj do ta sjellin në Tetovë dhe Korçë.
 
“Jam thellësisht e nderuar dhe plot gëzim të gjej që poezitë e mia më sjellin në Tetovë dhe në Korçë dhe kjo në emër të Naim Frashërit, poet i madh i Romantizimit dhe një hero i gjuhës shqipe. Një hero tjetër i tillë është patjetër Ismail Kadare, veprat e të cilit më kanë mësuar për Shqipërinë para se ta vizitoja vendin për herë të parë dhe që është njëri nga lista shumë e dalluar e shkrimtarëve të cilëve Festivali Ndërkombëtar i Poezisë”Ditët e Naimit” u ka dhënë më parë çmimin “Naim Frashëri””,- theksoi drejtori i “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu.
 
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të fillojë nga 17 tetor deri më 21 tetor në qytetin e Tetovës dhe në qytetin e Korçës.
 
Këtë vit janë ftuar rreth 40 poetë nga vende të ndryshme të botës, prej të cilëve ardhjen e kanë konfirmuar 35 poetë, mes të cilëve emra të njohur të poezisë amerikane, aziatike e europiane.
 
VISAR SADIKI