Maqedoni
Negociatat me BE-në në tetor, Osmani në Poloni për mbështetje të vendimit
20.09.2019 11:04
Zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmani, sot qëndron për vizitë pune në Republikën e Polonisë...

Zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmani, sot qëndron për vizitë pune në Republikën e Polonisë, ndërsa temë qendrore e takimeve do të jenë perspektivat evropiane të RMV-së dhe mbështetja polake në prag të vendimit për fillim të negociatave të Samitit të BE-së në tetor.
Në kuadër të vizitës në Varshavë, Osmani do të takohet me sekretarin shtetëror për çështje evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Polonisë, Konrad Shimanski, ndërkaq do të takohet edhe me shefin e diplomacisë polake, Jacek Çautoviç. Vizita në Varshavë, siç kumtojnë nga Sekretariati për Çështje Evropiane, është pjesë e turneut evropian të zëvendëskryeministrit Osmani për vizitë në metropolet evropiane, në prag të takimeve të tetorit të Këshillit të BE-së.
Osmani dje ishte për vizitë në Republikën Federale të Gjermanisë, ku nga ministri shtetëror për Evropë dhe përfaqësuesi i Gjermanisë në BE, Mihael Rot, mori konfirmimin se Qeveria gjermane plotësisht i mbështet integrimet evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe se gjatë sesionit të Bundestagut do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të pozitave për fillim të negociatave inkuadruese në tetor.
