Maqedoni

Çair, hapet Qendra rinore

20.09.2019 17:18

Të rinjtë e Çairit prej tani do të kenë Qendrën e tyre rinore, ku do të mund të shkëmbejnë idetë...

Të rinjtë e Çairit prej tani do të kenë Qendrën e tyre rinore, ku do të mund të shkëmbejnë idetë, mendimet dhe pikëpamjet e tyre për çështje nga më të ndryshmet.
 
Të entuziazmuar për hapjen e kësaj qendre, ata thanë se kjo ishte një nevojë e kamotshme e të rinjve të kësaj komune.                       
                                                                     
“Rinia ka tepër potencial, janë kreativë, janë të talentuar, kanë informacione prej të gjitha vendeve, lexojnë dhe mendoj që ky vend definitivisht do ta shtyjë rininë të marrin iniciativa, të bëjnë projekte, të flasin për tema që deri tash ndoshta nuk kanë mundur t’i flasin”,- tha Nesa Marku.
 
“Kemi pasur nevojë që të kemi një vend, ku do të mund të shkojnë fëmijët tanë dhe të bashkohen me dikë tjetër, që t’i shpërndajnë mendimet e tyre dhe pse jo të jenë në hap me kohën, me atë se çka po ndodh me rininë sot”,- u shpreh mësimdhënësja, Arta Rameti.                                                                              
 
Hapjen e kësaj qendre e zbukuroi programi i përgatitur nga fëmijët të cilët ishin të lumtur që kishin rastin të prezantonin shkathtësitë e tyre.
 
“Kur recituam ishte shumë mirë dhe ishim shumë të kënaqur”,- tha një nxënëse.
 
“U gëzuam shumë se unë dhe shoqet e shokët performuam nga një vjershë dhe u ndjeva shumë e lumtur”,- theksoi një nxënëse. 
 
Autoritetet inkurajuan të rinjtë që të marrin nisma në të mirë të shoqërisë.
 
“Kjo qendër do të ngrihet për t’u bërë një zë kritik në mbrojtje të mendimit të lirë, udhëheqjes së përgjegjshme, diversitetit dhe barazisë së dallimeve, por mbi të gjitha të avokojë për politikbërje të hapur dhe transparente dhe institucione pa korrupsion”,- u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu. 
 
“Ky është vendi juaj, vendi ku ne shpresojmë se do ta shfrytëzoni për të qenë më aktiv, që te vini në ideja të shkëlqyera, ta përkrahni shoqërinë tuaj, të përcaktoni se çfarë do të bëni për të ardhmen tuaj”,- theksoi zëvendësambasadorja e ShBA-së, Jennifer  Littlejhon.
 
Qendra e Komunitetit të Rinisë është mbështetur nga komuna e Çairit dhe Ambasada e ShBA-ve në Shkup.
 
BELINDA KOKA ADEMI