Maqedoni
Rebalanci i buxhetit, Dimovski: Ka mungesë në realizimin e të ardhurave. Elezi: Ka rritje në realizimin e të ardhurave
20.09.2019 17:32
Komisioni për Financa dhe Buxhet ka vazhduar me debatin mbi rebalancin e buxhetit për vitin 2019...

VMRO-DPMNE-ja opozitare ka akuzuar se me rebalancin qartë dëshmohet se vendi po lëviz në drejtim jo të duhur.
Thënia “Nuk kemi para për bukë teksa blejmë çokollatë”, tani është dhjetëfish më shumë, tha deputeti i VMRO-së, Ilija Dimovski.
Sipas tij, ka mungesë të të ardhurave prej 166 milionë eurosh mbi bazën e mbledhjes së tatimeve.
“Keni mungesë të të ardhurave prej 166 milionë eurosh mbi bazën e mbledhjes së tatimeve. Kjo në përqindje më e theksuar është në mbledhjen e tatim-fitimit dhe tatimit personal. Tatim-fitimi është pasqyrë se sa me sukses punojnë ndërmarrjet dhe kur ka ulje të mbledhjes së tatim-fitimit nga ajo që keni planifikuar, kjo do të thotë se ndërmarrjet nuk punojnë mirë, siç është planifikuar”,- tha Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Në përgjigjen e saj zëvendësministrja e Financave, Shirete Elezi, numëroi rritjen e të ardhurave në arkën e shtetit.
“Deri më 18 shtator realizimi i buxhetit është 66,9%, përkatësisht 141 miliardë denarë në raport me 210,8 milirdë denarë të planifikuara. Me rebalancin është ulur vetëm 0.1%. Do të ju përmend edhe të hyrat nga tatimet që janë pjesa më e madhe e realizimit të buxhetit. Sa i përket TVSh-së, realizimi është 52 miliardë denarë e që është më shumë për 2 miliardë e 636 milionë denarë. Sa i përket tatimit personal, është 12 miliardë e 845 milionë denarë, që është shumë për 1 miliardë e 645 milonë denarë”,- deklaroi zëvendësministrja e Financave, Shirete Elezi.
Me rebalancin, 400 milion denarë janë parashikuar për subvencionimin e pagave në sektorin privat, 200 milion denarë për masa aktive të punësimit, fonde shtesë për bujqësinë për sëmundje të rralla, për mbrojtjen e sistemit të kolektorëve të liqenit të Ohrit, si dhe për kthimin e TVSh-së.
Të ardhurat totale me rebalancimin e buxhetit janë planifikuar në nivelin 210.5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet totale janë përcaktuar në 228.3 miliardë denarë.
NAIM RAMADANI
