Maqedoni
Timonie: Standardet e RMV-së të përkojnë me ato të BE-së. Thaçi: BE nuk do të na e ndërpresë shpresën
20.09.2019 18:21
Franca vlerëson lart të arriturat e Maqedonisë së Veriut, sidomos Marrëveshjen e Prespës...

Franca vlerëson lart të arriturat e Maqedonisë së Veriut, sidomos Marrëveshjen e Prespës dhe çfarëdo vendimi që të merret nga Franca dhe shtetet e Evropës, ajo do të jetë në frymën e stabilitetit dhe prosperitetit të vendit.
Kështu deklaroi ambasadori francez, Kristian Timonie, duke shtuar se standardet e Maqedonisë së Veriut duhet të përkojnë me standardet evropiane.
“Jemi në reflektim e sipër. Këto reflektime kanë qenë të ndihmuara edhe nga vizita e bërë rishtazi e ministrit të punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov, në Paris. Autoritetet franceze kanë vlerësime të larta lidhur edhe me Marrëveshjen e Prespës. Njëkohësisht kanë ndarë edhe vlerësimin e tyre në lidhje me reformat që janë në vijim e sipër, dhe ata kanë insistuar gjithnjë dhe kanë këmbëngulur në drejtim të shtetit të së drejtës. Njëkohësisht është ritheksuar edhe qëndrimi i kryetarit të Francës, zotit Makron, në lidhje me angazhimin e Francës në drejtim të Ballkanit perëndimor. Cilido që do jetë vendimi që do merret me vendet tjera anëtare, duhet të jetë në drejtim të asaj që këtu të mbizotërojë paqja dhe stabiliteti dhe njëkohësisht prosperimi dhe zhvillimi”,- tha ambasadori i Francës, Kristian Timonier.
Këto komente ambasadori francez i bëri pas takimit me kryetarin e PDSh-së, Menduh Thaçi, i cili ka shprehur pritshmërinë e tij se vendit nuk do t’i ndërpritet shpresa për fillimin e bisedimeve.
“Mendoj se nuk do na e ndërpresin shpresën, sepse kjo do ishte një sinjal jashtëzakonisht i keq dhe negativ. Por, nuk kam edhe shpresa që do na i hapin dyert e mëdha, sepse sigurisht këtë nuk e meritojmë. Dhe e treta është se nuk e heq fajin nga Qeveria apo politika në Maqedoni, por ne, Kosova, Shqipëria e tjerët duhet të jemi shumë të kujdesshëm në raport me BE-në, sepse BE ka një mbamendje negative të anëtarësimit të fundit të plotë të disa shteteve, si Bullgaria, Rumania e kështu me radhë. E shihni se edhe në ato shtete dallimi është si nata me ditën, të shkosh në Bullgari dhe të shkosh në Gjermani. Mendoj që do ketë një qëndrim të ndërmjetëm nuk do ketë hapje të dyerve të mëdha, por s`do ketë edhe mbyllje, por edhe çështja tjetër shumë e rëndësishme për regjionin, mundësia e rifillimit të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës dhe besoj se kjo është edhe preokupimi kryesor i ShBA-ve dhe BE-së”,- u shpreh kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Thaçi me këtë rast ka komentuar edhe çështjen e regjistrimit si një nevojë imanente për ndryshimet në sistemin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut.
VISARI SADIKI
