Maqedoni

Rasti “Zhvatja”, Gjykata refuzon kërkesën për lirimin e Janevës. LSDM: VMRO të zbulojë lidhjet me Kamçevin. VMRO: Pushteti kundër zbardhjes së “Zhvatjes”. Prokuroria Publike: 171 lëndë janë transferuar nga PSP

20.09.2019 18:37

Ish prokurorja speciale, Katica Janeva, mbetet në paraburgim, pasi Gjykata Penale ka refuzuar kërkesën...

Ish prokurorja speciale, Katica Janeva, mbetet në paraburgim, pasi Gjykata Penale ka refuzuar kërkesën që asaj t’i ndërpritet paraburgimi dhe të mbrohet në liri.
 
Gjykata konsideron se garancia e ofruar në shkëmbim të lirimit të Janevës është e pamjaftueshme. Janeva, si garanci ofroi dy banesat e fëmijëve në vlerë prej 160 mijë euro si dhe një banesë të një të afërmi.
 
Që Janeva të mbetet në paraburgim ka insistuar edhe prokurorja, Villma Ruskoska. Tani Janeva do të qëndrojë edhe 30 ditë të tjera në paraburgim.
 
Ndërkohë vazhdojnë presionet ndërpartiake për “Zhvatjen”. Nga LSDM kërkojnë të zbardhen lidhjet midis biznesmenit, Orce Kamçev, dhe VMRO-DPMNE-në.
 
“Orce Kamçev, i akuzuar në lëndë të Prokurorisë Speciale, a e ka financuar fushatën zgjedhore të VMRO-DPMNE-së? Nuk ka përgjigje as nga Igor Janushev, sekretar i përgjithshëm i VMRO-së, dhe gjithashtu edhe nënshkrues i llogarisë. Hristijan Mickovski gjithashtu ka heshtur edhe kur e pyesnim se a është takuar me Zoki Kiçeec, njëri nga të dyshuarit në rastin “Zhvatja”, që në fund të përgjigjet se e ka takuar atë”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
 
Nga VMRO-DPMNE dolën me kundërpërgjigje se pushteti është i ngulfatur në krim dhe korrupsion tanimë edhe me “Zhvatjen 2”, ku drejtori i Fondit të Shëndetësisë, Den Donçev, thuhet të ketë penguar shitjen e kompanisë “Dijamed”, ndërmarrjes suedeze “Diaverum”.
 
Nga VMRO thonë se pushteti nuk dëshiron të zbardhet zhvatja, andaj kërkojnë zgjedhje të parakohshme.
 
“Kjo aferë është dëshmi shtesë për zhvatje të pushtetit, i cili del jashtë kufijve të Maqedonisë. Oktopodi i zhvatjes nuk dëshiron që të zbardhë këtë skandal, të pastrojë krimin dhe korrupsionin, të mos arrihet në kokën e oktopodit. Sa më shpejtë të shpallen zgjedhjet e parakohshme, aq më shpejtë do të funksionojë drejtësia”,- theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
 
Ndërkohë nga Prokuroria Publike kanë bërë të ditur se gjithsej 171 lëndë kanë marrë nga Prokuroria Speciale. 
 
“Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga Prokuroria Publike për ndjekje të veprave penale, të cilat dalin nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve, ndërmori tre lëndë për të cilat është sjellë aktvendim i shkallës së parë, 10 lëndë të cilat janë në fazë të gjykimit, 19 lëndë për të cilat po zbatohet hetim, gjashtë lëndë të cilat janë në procedurë parahetimore, 80 lëndë prej të cilave një pjesë u referohen procedurës parahetimore dhe një pjesë e kërkesave për vendosje të kompetencave të Prokurorisë Publike për ndjekje të veprave penale lidhur dhe të cilat dalin nga ndjekja e paligjshme e komunikimeve, 38 lëndë për të cilat po bëhet hetim financiar dhe tre lëndë sipas medikamenteve të jashtëzakonshme juridike”,- informojnë nga Prokuroria Publike, duke theksuar se prioritet në shpërndarje kanë lëndët të cilat janë në procedurë gjyqësore.
 
MERAL ISMAILI