Ademi: Cilësia e arsimit në USHT, obligim kombëtar

15.09.2014 15:30

Me fillimin e vitit akademik 2014/2015, në USHT u mbajt ceremonia solemne, ku u bë pritja e gjeneratës së njëzetë të studentëve në këtë universitet.......

Në  këtë  eveniment i pranishëm ishte edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi. Rektori i Universitetit Shtetëror të  Tetovës, prof. dr. Vullnet Ameti, në  fjalën e tij drejtuar studentëve theksoi se fillimi i procesit mësimor shkencor në Universitetin Shtetëror të  Tetovës është një ditë e veçantë për faktin se sot arsimi dhe shkenca janë prioritete dhe të njëjtat në shoqëritë e përparuara vlerësohen si domosdoshmëri e kohës.

“Deri më sot, ne kemi realizuar dy afate regjistrimi në kuadër të të cilëve janë regjistruar mbi 3000 studentë, nga 5310 studentë sa janë parashikuar të regjistrohen në 11 fakultetet, programet studimore dhe studimet e disperzuara të këtij universiteti. Me përmbylljen edhe të afateve të tjera, ne besojmë se do të arrijmë t’i përmbushim synimet tona për plotësimin e të gjitha vendeve të publikuara në konkursin e këtij viti akademik. Kjo dëshmon edhe një herë se vizioni ynë për arsimimin e gjeneratave të reja është shumë i qartë dhe siguron perspektivë të ndritur”- deklaroi rektori i USHT-së, prof. dr. Vullnet Ameti.

Ndërsa ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, u betua se do të angazhohet me gjithë kapacitetet e tij që ky tempull i nxënies së dijes të ngrihet edhe më lartë dhe të merr vendin e merituar në shoqëri dhe shtet.

“Ju në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe në mua personalisht mund të llogarisni në përkrahësin më të madh në përmbushjen e ambicieve dhe qëllimeve të përbashkëta. Unë do të kërkoj nga ju që të angazhohemi të gjithë bashkë në ngritjen e cilësisë së arsimit. Mos e shikoni cilësinë e arsimit dhe përmirësimin e saj në USHT thjeshtë vetëm si obligim ligjor, por edhe si obligim kombëtar. Çfarë gjenerata do të ndërtojmë varet nga ne. Ne jemi përgjegjësit për të ardhmen e shoqërisë dhe vendit”- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.

Njëherit, numri një i dikasterit të Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, nga Universiteti Shtetëror  i Tetovës e shpalli të hapur edhe zyrtarisht vitin akademik 2014/2015 për të  gjitha institucionet e arsimit të lartë  në  Maqedoni. (Miftar Emini, TVM2)