Ademi: MASH ka krijuar kushte të mira arsimore
Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, e vlerëson të suksesshëm fillim-vitin e ri akademik.........

Në një intervistë ekskluzive për TVM-2, Ademi thotë se MASH-i ka krijuar kushte mjaft të mira për studentët dhe profesorët, përmes pajisjes së universiteteve me laboratorë bashkëkohorë, me literaturë shkencore nga 1000 përkthime që janë realizuar deri më tani, por edhe me mundësinë ligjore që ministria do të sigurojë 50 përkthime të literaturës shkencore që përdoret në dhjetë universitetet më të mira botërore dhe nëpërmjet bursave, që sipas tij, janë stimul për studentët më të mirë. Sipas Ademit, MASH-i është një nga institucionet me buxhetin më të lartë në RM-së.
“Pika më të rëndësishme të buxhetit janë sa i takon USHT-së, ku ne kemi siguruar mjete financiare për sigurimin normal të këtij universiteti dhe për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme. Në mënyrë plotësuese, për këtë vit janë siguruar edhe mjete për fillimin e punime për kampusin universitar, për nevojat e USHT-së, për fakultetet në Shkup, por gjithashtu ajo që është risi më e madhe dhe për herë të parë që ndodh me MASH-n është sigurimi i mjeteve financiare për të financuar UEJL-në në Tetovë dhe prej këtij viti akademik do të ketë dy universitete shqiptare që do financohen nga buxheti i MASH-it. Në këtë mënyrë, duam që në mënyrë proporcionale t’i kthejmë mjetet edhe tek taksapaguesit, këtë radhë edhe tek taksapaguesit shqiptarë dhe në këtë mënyrë duam të nxisim konkurrencën mes universiteteve, me qëllim të ngritjes së cilësisë”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Ademi pranon se ka pasur probleme në disa shkolla, por sipas tij, MASH-i do të vazhdojë të kryej obligimin për krijimin e kushteve për mësim në të gjitha shkollat.
“Ne jemi duke e përgatitur dokumentacionin e nevojshëm sa i takon rikonstruimit të përgjithshëm të shkollës fillore të fshatit Rashçe të Komunës së Sarajit dhe aty do të bëjmë jo vetëm rekonstruimin e pjesës së djegur, por rekonstruimin e përgjithshëm të objektit, sepse objekti është ndërtuar para 40 viteve. Komuna e Sarajit ka siguruar kushte minimale për mbarëvajtjen e mësimit në këtë shkollë dhe kjo është vetëm një zgjidhje kalimtare... sigurisht është siguruar edhe buxhet për rikonstruimin e shkollave fillore dhe të mesme, ndërtimin e shkollave fillore dhe të mesme aty ku ka nevojë, në bazë të programit të miratuar në parlament, por edhe vazhdimin e projektit të 145 sallave sportive në shkollave fillore dhe të mesme”- tha Ademi.
Sa i takon çështjes së emrave të shkollave në Komunën e Çairit, por edhe në disa komuna tjera, Ademi thotë se ka disa vendime që vërtetë merren në Ministrinë e Arsimit, por që kanë ndikime më pas në të gjithë shoqërinë.
Një vendim që u mor nga ish-ministri i Arsimit për maqedonishten nga klasa e parë në të kaluarën, shkaktoi tensione mes dy etniteteve më të mëdha në vend. Prandaj ka disa vendime të MASH-it që duhet të miratohen me shumë kujdes.
“Çdo vendim që merret në MASH mund të ketë ndikime dhe implikime jashtë sferës së arsimit, veçanërisht në marrëdhëniet në shoqëri...kështu që vendimi merret i konsultuar me të gjitha palët e tanguara, me të gjithë faktorët në vend dhe ai vendim kur do të miratohet, të jeni të bindur që do të mirëpritet nga të gjithë”- u shpreh Ademi.
Ademi thotë se MASH-i do të vazhdojë të përkushtohet në ngritjen e cilësisë në arsim, për t’i kthyer veçanërisht studentët në forcë konkurruese akademike dhe profesionale jo vetëm në vend, por edhe në botë. (Mefail Ismaili, TVM2)
