UKRAINË

Ukrainë, pro-rusët vrasin gjashtë civilë

15.09.2014 16:28

Të paktën gjashtë civilë janë vrarë gjatë luftimeve të ushtrisë ukrainase dhe rebelëve pro-rusë në 24 orët e fundit në Donjeck, në lindje të Ukrainës......

Zëvendës kryetari i Donjeck-ut, Kostjantin Savinov, tha se pesë persona u vranë në vend gjatë bombardimeve, ndërsa viktima e gjashtë vdiq në spital nga plagët e marra.

Kievi, akuzoi rebelët se po kërcënojnë procesin e paqes, sepse po intensifikojnë sulmet ndaj pozicioneve të ushtrisë ukrainase, transmeton Telegrafi.

Agjencia franceze e lajmeve “France Presse” raporton se është rritur numri i viktimave civile, që prej shpalljes së armëpushimit më pesë shtator, i cili po shkelet në mënyrë të përsëritur.Sipas OKB-së, gjatë konfliktit pesë mujor në Ukrainën lindore janë vrarë më shumë se 2,700 persona.

Ndërkohë edhe një ekip i vëzhguesve të Organizatës për siguri dhe bashkëpunim në Evropë, e cila e vëzhgoi ndërprerjen e zjarrit në lindje të Ukrainës, mbrëmë u gjet në shënjestër të armëve të zjarrit në afërsi të Donjeckut, deklaroi në përfaqësues i paemëruar i OSBE-së.

Sipas këtij burimi, askush nuk është lënduar, por është dëmtuar automjeti.