Maqedoni
Zaev në Asamblenë e 74 të KB-së, nesër takimi i parë me homologun grek, Micotakis
23.09.2019 10:32
Një delegacion qeveritar i kryesuar nga kryeministri, Zoran Zaev, po qëndron në Nju Jork...

Një delegacion qeveritar i kryesuar nga kryeministri, Zoran Zaev, po qëndron në Nju Jork, ku merr pjesë në Asamblenë e 74 të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Nesër, sipas burimeve greke, kryeministri Zaev do të takohet për herë të parë me kryeministrin grek, Micotakis, që shënon takimin e parë, pasi Kirijakos Micotakis fitoi në zgjedhjet në Greqi, në fillim të korrikut të këtij viti.
Në agjendën e kryeministrit Zaev, është paraparë takim zyrtar me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh, si dhe prania në pritjen me ftesë të presidentit të SHBA-së, Donald Tramp. Fjalimi zyrtar i kryeministrit, Zoran Zaev, në Asamblenë e përgjithshme të KB-së, është paraparë të jetë të shtunën në sesionin e paradites.
Në përbërje të delegacionit qeveritar janë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.
