Maqedoni

Drejtoria ndau nxënësit në klasë të re. Anulohet bojkoti i mësimit në Sh. F. “Hasan Prishtina”. Prindërit: Të realizohet premtimi, ose bojkotojmë mësimin. MASh: Pritet pëlqimi nga Ministria e Financave

23.09.2019 15:14

Bojkoti i paralajmëruar nga Këshilli i Prindërve në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” për hapjen e një paraleleje shtesë u anulua...

Drejtoria e shkollës bëri ndarjen e fëmijëve edhe në një paralele shtesë, duke tejkaluar përkohësisht problemin me mbingarkesën e klasave.
 
Kërkesa për financimin e një paraleleje të re është dërguar që në muajin maj në Ministrinë e Arsimit dhe Drejtoria e shkollës pret përgjigje pozitive për hapjen e paraleles shtesë.
 
“Për momentin që u bë ndarja u zvogëlua numri i nxënësve prej 45 në 30, prindërit u tërhoqën sepse kjo kërkesë u plotësua,  presim pëlqim nga MASh, atë do ta marrim dhe numri i nxënësve në klasë do të jetë 30”,- tha drejtoresha e Sh. F. “Hasan Prishtina”, Luljeta Qerimi.
 
“Klasat kanë qenë të stërngarkuara, aty ku ka 45 nxënës a do të ketë cilësi në atë klasë, ora është 40 minuta, unë nuk do kem asnjë minutë kohë t’i u përkushtoj fëmijëve veçmas, por tani shpresoj të jetë më lehtë, mësimi do të jetë më cilësor”,- u shpreh mësuesja, Senxhan Ismaili.
 
Këshilli i prindërve thotë se nëse brenda javës nuk arrin përgjigja zyrtare, do të aktivizojnë bojkotin e mësimit.
 
“Në qoftë se nuk realizohet ajo që u premtua, prapë do të vazhdojmë me bojkot, por mendoj se realizimi u arrit, atë që dëshiruam e arritëm”,- theksoi kryetari i Këshillit të prindërve, Gani Bushi.
 
Të pyetur për hapjen e paraleles shtesë në këtë shkollë, nga MASh në sqarimin me shkrim thonë:
 
“Kërkesën për formimin e një paraleleje shtesë, MASh e vlerësoi si kërkesë të drejtë dhe të bazuar. Menjëherë u parashtrua kërkesë deri te Ministria e Financave për dhënien e pëlqimit për vend të ri të punës, për mësimdhënës. Sapo të merret pëlqimi nga Ministria e Financave, do të njoftohet shkolla dhe komuna e Çairit”. 
 
Në nenin 41, paragrafi 4 i Ligjit për arsim fillor, qartë thuhet se numri i nxënësve në një paralele duhet të variojë nga 24-34 nxënës, por në disa shkolla numri i nxënësve e kalon numrin 40, duke pamundësuar kështu zhvillimin normal të procesit arsimor. 
 
FLUTURA LATIFI