Maqedoni

Anti-korrupsioni me ankesë në Gj. Administrative, Ivanovska: Rasti nuk është humbur

23.09.2019 15:52

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit do të ankimojë vendimin e Gjykatës Administrative....

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit do të ankimojë vendimin e Gjykatës Administrative, që vendosi në favor të ish-presidentit, Gjorge Ivanov, lidhur me avancimet në Armatë. Kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska, tha se vendimi i Gjykatës Administrative ka trajtuar vetëm aspektin procedural, ndërsa lëndën nuk e trajton si të dështuar.
 
“Rasti nuk është humbur, akoma mbetet dhe nuk është shqyrtuar pjesa materiale. Bëhet fjalë për akte juridike. Do të luftojmë, ka institucione, ka gjykata. A është Gjykata Administrative ajo që duhet të veprojë në vendimet tona, në rastin konkret apo jo, do të shohim”,- theksoi kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska.
 
Pendarovski: Kam përdorur kritere të tjera gjatë vendimit
 
Presidenti i ri, Stevo Pendarovski, pati shfuqizuar vendimet dhe nënshkroi të reja, duke vërtetoi disa nga të emëruarit e Ivanovit. Gjatë kësaj procedure kam shfrytëzuar kritere tjera nga Antikorrupsioni, sqaroi presidenti Pendarovski.
 
“Unë u udhëhoqa në një bazë tjetër duke konfirmuar dy dekrete dhe jo dy dekrete të tjera. Unë u udhëhoqa nga ajo se të gjitha dekretet ishin miratuar gjatë fushatës zgjedhore dhe kjo nuk është e lejuar”,- u shpreh presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
 
Procedurën kundër Ivanovit, Atikorrupsioni e ngriti me vetiniciativë, gjegjësisht pas reagimeve në opinion për disa avancime në Armatë, të cilat ish presidenti i publikoi në Gazetën Zyrtare në periudhë kur ishin shpallur zgjedhjet presidenciale. Në arsyetimin e Gjykatës Administrative, mes tjerash, thuhet se Ivanovit i është pamundësuar të shpalosë argumentet e tij si mbrojtje para Komisionit Antikorrupsion dhe gjithashtu nuk i është dorëzuar vendimi, por vetëm janë publikuar në ueb faqen e Komisionit. 
 
NAIM RAMADANI