Maqedoni
Ngordhja e peshqve në Vardar. Kush e shkaktoi katastrofën ekologjike?
23.09.2019 17:30
Autoritetet po kërkojnë përgjegjësinë për ngordhjen e peshqve në lumin Vardar...

Lëshimi i materjeve të rrezikshme në lumin Vardar ka shkaktuar ngordhjen e peshqve. Analizat kanë dëshmuar se deri te katastrofa ekologjike ka ardhur pasi një kompani ka lëshuar materje industriale.
Mostra të ujit sot janë marrë për inspektim që të konfirmohet se cila materje e dëmshme e ka ndotur ujin. Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, pa dhënë detaje për emrin e kompanisë, tha se bëhet fjalë për mbetje industriale.
“Nuk do të doja të spekuloj. Gjatë ditës së sotme janë marrë mostra dhe mendoj se shumë saktë mund ta konstatojmë gjendjen. Do t’i japim rezultatet e analizave dhe më pas do të kërkojmë nga institucioni kompetent Inspektorati shtetëror të ngrisë procedurë”,- tha kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.
Mendohet se ndotja është shkaktuar nga një objekt nga ish hekurana. Nga Kompania “Makstil” kanë mohuar zërat se nga kjo kompani janë lëshuar mbetjet industriale.
Nga “Makstil” bëjnë të ditur se janë marrë mostra të ujit nga industria në pikën hyrëse dhe dalëse. Por, përveç kësaj kompanie, në hapësirën ku dikur ishte ish hekurana, aktualisht punojnë edhe kompani tjetra metalurgjike.
Përgjegjësi për katastrofën ekologjike pritet të mësohet pas rezultateve të analizave.
GYLTENE SINANI
