Shqipëri, ulet intensiteti i lëkundjeve sizmike
Shqipëria është sërish në panik nga frika e lëkundjeve sizmike...

Shqipëria është sërish në panik nga frika e lëkundjeve sizmike, sado që intensiteti i tyre ka rënë gjatë 24 orëve të fundit.
Ankthin e shtoi më shumë një Fake News se në orën 23:30 të mbrëmjes së djeshme do të binte një tërmet katastrofik, duke bërë që pjesa më e madhe e banorëve ta kalonin natën jashtë. Pas këtij lajmi të publikuar në dy portale, policia ndaloi autorët e lajmit, ndërsa sizmologët siguruan mbarë opinionin publik se tërmetet janë të paparashikueshëm dhe se pasgoditjet janë normale.
Zëvendëskryeministri, Erion Braçe, tha se këto lajme të rreme u prodhuan nga një rrjet kriminal dhe nuk do të tolerohen nga përgjegjësia ligjore.
Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës ka ngritur disa grupe pune në të gjitha qarqet për verifikimin e dëmeve, me qëllim rikuperimin e tyre.
Sizmologët thonë se deri tani janë regjistruar më shumë se 400 paslëkundje, të cilat janë normale. Sipas tyre, nuk ka vend për panik.
Ndërkohë, shkollat kanë qenë sot pushim, duke iu rikthyer mësimit ditën e nesërme, pasi sipas ministres së Arsimit, nuk ka më vend për panik.
Tërmeti i së shtunës konsiderohet më i madhi që prej atij të vitit 1979 në Shkodër, ku u shënuan 40 viktima dhe mijëra shtëpi të shkatërruara. (Luljeta Ndoka, TVM2)
