Programi “Erasmus plus” në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Kumanovë

23.09.2019 18:44

Gjimnazi “Sami Frashëri” nga Kumanova....

Gjimnazi “Sami Frashëri” nga Kumanova, gjatë tërë javës do të jetë nikoqir i 20 nxënësve dhe 4 profesorëve të shkollave të mesme nga dy shtetet e Bashkimit Europian, Spanja dhe Gjermania, në kuadër të projektit të BE-së “Erasmus Plus”, me temë “Digjitalizimi, unë dhe të jetuarit”.

Me këtë rast, nxënësit e dy vendeve evropiane u pritën nga kreu i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, e më pas vazhduan punimet në Gjimnazin “Sami Frashëri”.

“Është një përvojë e mirë për nxënësit tanë. Kjo është edhe një mundësi që nxënësit tanë të dalin jashtë kufijve të Maqedonisë së Veriut, e të mund t’i paraqesin njohuritë e tyre që i posedojnë, ne jemi të lumtur nga puna dhe angazhimi i tyre, u dëshirojmë mirëseardhje delegacioneve nga Spanja dhe Gjermania”,- theksoi mes tjerash drejtori i ShMK “Sami Frashëri” – Kumanovë, Afrim Aliti.

“Jemi këtu në Kumanovë me miqtë tanë nga ky gjimnaz, jemi këtu të japim një produkt final në lidhje me digjitalizimin ku jeta jonë sot është thuaj se e varur nga digjitalizimi dhe ne duhet të jemi në hap me të”,- theksoi mes tjerash profesori nga Gjermania, Antoni Cikarelo.

Projekti i programit “Erasmus Plus” ka filluar të implementohet nga viti 2014, kurse përvojat dhe eksperiencat e tyre nxënësit i kanë këmbyer në të tetë shkollat gjatë qëndrimit në të gjitha shtetet pjesëmarrëse në të. Ndryshe, vizita e radhës do të jetë në Spanjë në mars të vitit 2020. (Fatlum Aqifi, TVM2)