Mogerini takon liderët e Ballkanit, Zaev: Jemi të gatshëm për fillimin e bisedimeve

23.09.2019 19:41

Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i fillojë negociatat me Bashkimin Evropian....

Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i fillojë negociatat me Bashkimin Evropian. Kështu është shprehur kryeministri Zaev në takimin me shefen për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Federica Mogherini, gjatë darkës që shtroi ajo për shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me rastin e pjesëmarrjes në Asamblenë e 74 të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Kjo është një periudhë kyçe për vendin tonë dhe të gjitha përpjekjet janë të fokusuara që të mbahet fryma pozitive te të gjithë vendet anëtare të BE-së për mbështetjen për Maqedoninë e Veriut që t’i hapë negociatat me BE-në. Pas marrjes së statusit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2005, propozimet e njëpasnjëshme pozitive nga Komisioni Evropian dhe Këshillit të Evropës në vitin 2018 dhe 2019, si dhe për rezultatet e arritura, Maqedonia e Veriut është e përgatitur t’i fillojë negociatat me BE-në pa prolongim të mëtutjeshëm”,- ka potencuar Zaev.

Sipas tij, fillimi i negociatave do të ishte sukses edhe për Maqedoninë e Veriut edhe për BE-në, si rezultat i të arriturave të përbashkëta gjatë periudhës së procesit paraaderues. Delegacioni qeveritar i udhëhequr nga kryeministri, Zoran Zaev, do të qëndrojë në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve te Bashkuara marrin pjesë edhe liderët tjerë të vendeve ballkanike. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)