Në buxhetin e 2015, rritje e rrogave dhe pensioneve
Në buxhetin e vitit 2015, qeveria ka projektuar paga, pensione dhe ndihmë sociale më të larta për rreth 5 %...........

Ministri i Financave, Zoran Stavrevski, thotë se ky projektim është bërë pas konsultimeve të vazhdueshme me Bankën Popullore, sektorin makroekonomik në Ministrinë e Financave dhe me të gjithë ministrat e qeverisë dhe me analizë të vëmendshme të ekonomisë vendore kemi vendosur se mundemi të rrisim pagat mujore, pensionet dhe ndihmën sociale.
“Kemi parashikuar saktësisht se kur mund të bëhen këto rritje, pagat mujore do të rriten tani në muajin tetor, ku do të ketë rritje për 4 %, në muajin mars të vitit të ardhshëm vijon rritje për 5 % e ndihmës sociale dhe në muajin shtatorë të vitit të ardhshëm do të rriten pensionet për 5 %. Me të gjitha këto rritje, buxheti do të mbetet në zonën financiare stabile”- deklaroi ministri i Financave, Zoran Stavrevski.
Në buxhetin e vitit 2015, investimet kapitale mbeten në fokusin e qeverisë. Sipas Stavrevskit edhe gjatë vitit të ardhshëm do të ketë mbështetje financiare të fuqishme për infrastrukturën rrugore, siç është ndërtimi i korridorit 10 dhe rekonstruimi i linjës hekurudhore të korridorit 10.
Do të ketë projekte për ndërtimin e spitaleve, ndërtimin e shkollave, ujësjellësve dhe kanalizimeve, si dhe rrugëve lokale. Sipas Stavrevskit, janë parashikuar projekte nga të gjitha sferat, të cilat do të ndihmojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Mitko Aleksov nga Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë, thotë se rritjen e investimeve kapitale prej rreth 334 milion euro në buxhetin e vitit 2015 ata e kanë kërkuar prej më herët dhe kjo përfundimisht po realizohet.
“Kjo është diçka që ne kemi insistuar një periudhë më të gjatë dhe tanimë po realizohet. Bëhet fjalë për infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore. Gjithashtu edhe projekte kapitale që janë shumë të rëndësishme, siç janë gazifikimi, në sferën e shëndetësisë ndërtimi i spitaleve dhe klinikave, në sferën e arsimit ndërtimi i shkollave, çerdheve, sallave sportive. Vlerësojmë se të gjitha këto aktivitete do të ndikojnë pozitivisht në gjendjen ekonomike të Maqedonisë”- tha Mitko Aleksov nga Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë.
Aleksov, gjithashtu ka vlerësuar ndarjen e 140 milion eurove për subvencione në sferën e bujqësisë, në buxhetin e vitit 2015, që sipas tij, është një ndër sferat e nevojshme për ekonominë e Maqedonisë. (Besim Abdullai, TVM2)
