Lëndët e PSP-së, “Maxhar Telekom” sërish te Stefanovska
24.09.2019 11:29
Pesë ish-prokurorë të Speciales janë autorizuar sërish nga prokurori shtetëror, Lubomir Joveski....

Pesë ish-prokurorë të Speciales janë autorizuar sërish nga prokurori shtetëror, Lubomir Joveski, për të përfaqësuar lëndët të cilat i kanë punuar deri më tani. Këtij numri i shtohet edhe prokurorja, Lile Stefanova, që do të vazhdojë të përfaqësojë lëndët “Titanik”, “Trajektorja” dhe “Maxhar Telekom”.
Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevki vazhdojnë të përfaqësojnë lëndën “Monstra”, ndërsa Lençe Ristoska lëndën “Talir 2”. Stevço Donev dhe Elizabeta Josifovska përsëri do të përfaqësojnë lëndët “Treqind” dhe “Total”. Prokurorët e riangazhuar vazhdojnë të jenë prezentë në seancat për lëndët e rindara.
Rasti “Maxhar Telekom”, mungon Bogoevski, gjykimi shtyhet për më 30 shtator
Kështu Stefanovska sot ishte në sallë në vazhdimin e gjykimit për rastin “Maxhar Telekom”, por seanca u shty për më 30 shtator, pasi në sallë mungoi dëshmitari i mbrojtjes, Sllobodan Bogoevski, për të cilin trupi gjykues nuk kishte vërtetim të besueshëm nëse e ka pranuar ftesën e gjyqit. Njëkohësisht në letrën e Bogoevskit dërguar gjykatës ai sqaron se nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në gjykim dhe se nuk i njeh fare të pandehurit në këtë rast.
Për rastin “Maxhar Telekom” akuzohen tre ish-drejtorët e Telekomit të Maqedonisë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, organizimin e kontratave konsulente fiktive me kompaninë e Konsulencës “Chavtex holdings Limited” nga Qipro, duke dëmtuar kështu për 4 milion euro Telekomin dhe për 2 milion euro buxhetin e shtetit, meqë në atë periudhë Qeveria zotëronte 47% të aksioneve të kompanisë.
Gjykimi për “Maxhar Telekom” filloi në vitin 2011. Me themelimin e PSP-së lënda u transferua në duart e prokurorëve specialë dhe tani pas shpërbërjes së PSP-së e njëjta sërish u kthye në Prokurorinë e rregullt.(Rexhep Qamili, TVM2)
