Vuçiç i kërkon Micotakisit Greqia të mos e njoh shtetin e Kosovës

24.09.2019 12:40

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç....

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kërkoi nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, që Greqia të mos e ndryshojë qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës, duke thënë se një gjë e tillë është jashtëzakonisht e rëndësishme për Serbinë.

Dy liderët u takuan në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, bëri të ditur shërbimi për media i Presidencës serbe.Vuçiq tha se e falënderon Greqinë për mbështetjen që i jep dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve.

Në komunikatë thuhet se Vuçiç e njoftoi kryeministrin grek edhe me, siç u shpreh, problemet që kanë lindur pas vendimit të autoriteteve në Kosovë për t'iu vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia.

Mitsotakis, në anën tjetër, tha se Greqia e mbështet dialogun, por konsideron se "veprimet e njëanshme nuk kontribuojnë në të".

Mitsotakis po ashtu tha se Greqia nuk ndryshon qëndrim kur është në pyetje njohja e Kosovës. Greqia, së bashku me Spanjën, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë, janë pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.