Merkel, Johnson dhe Makron: Irani përgjegjës për sulmin në rafineri
Pas SHBA edhe Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe fajësojnë Iranin...

Pas SHBA edhe Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe fajësojnë Iranin për sulmet kundër rafinerive të naftës në Arabinë Saudite.
Këtë e deklaruan tre politikanët pas takimit në kuadër Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
"Për ne është e qartë, që Irani e mban përgjegjësinë për këtë sulm", thuhet në një deklaratë të përbashkët të qeverisë gjermane, franceze dhe asaj britanike, që u publikua në Nju Jork.
Në takimin e kancelares Merkel, kryeministrit britanik, Johnson dhe presidentit Macron në Nju Jork para fillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, u theksua se "nuk ka një shpjegim tjetër" për sulmet me dron kundër rafinerive të naftës në Arabinë Saudite para një jave.
Në të njëjtën kohë Merkel, Macron dhe Johnson kërkuan një zgjidhje diplomatike për krizën e Gjirit Persik. Sulmet kanë bërë të qartë "nevojën e ç’tensionimit" të situatës.
Më parë ishte SHBA dhe Arabia Saudite që bënë përgjegjëse Iranin për sulmet kundër rafinerive të naftës në Hurais dhe Abkaik. Arabia Daudite deklaroi, se sulmet janë bërë më armë iraniane.
Publikisht sulmin e morën përsipër rebelët Huthi në Jemen. Irani i mbështet ata në luftë kundër koalicionit ushtarak të drejtuar nga Arabia Saudite. Teherani e hedh poshtë përfshirjen në sulmet ushtarake.
