Filipçe në Samitin e OKB-së: Shërbim shëndetësor cilësor dhe afatgjatë
Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe...

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, në fjalimin e tij në samitin për mbulim universal shëndetësor, që mbahet në kuadër të Asamblesë së 47 të OKB-së në Nju Jork, potencoi angazhimin e qeverisë për shërbime cilësore shëndetësore.
Sipas tij, qëllim kryesor i ministrisë që drejton është reforma shëndetësore për shërbime cilësore kudo e për të gjithë.
“Vendosja e këtij problemi si prioritet, na siguron se të gjithë qytetarët do të kenë qasje në shërbimet shëndetësore me cilësi të mjaftueshme, e kjo do të luajë një rol të rëndësishëm në zvogëlimin e pabarazive shëndetësore në Maqedoninë e Veriut”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ministri Filipçe potencoi se mbrojtja shëndetësore primare është prioritet nacional i orientuar drejt përmirësimit të performancës së përgjithshme në sistemin shëndetësor dhe qeveria, sipas tij, angazhohet për implementimin sa më të shpejtë të kësaj strategjie.
“Harmonizimi i mbrojtjes shëndetësore primare me këtë vizion do të rrisë kapacitetet dhe reagimin për të siguruar kështu qëndrueshmëri në sistemin shëndetësor, parandalimin dhe zvogëlimin e sëmundjeve joinfektive dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës",- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
RMV është mes vendeve të para në nivel global që angazhohet për mbrojtjen primare shëndetësore në pajtim me deklaratën e Astanës dhe Filipçe premton se vendi ynë do të vazhdojë këtë proces. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
