Rasti “Titanik”, Dimovski kërkoi anulim, Shabani lejoi dëshmitë
Gjykimi për lëndën “Titanik”, vazhdoi pothuajse njësoj si gjykimet e tjera...

Gjykimi për lëndën “Titanik”, vazhdoi pothuajse njësoj si gjykimet e tjera që deri dje udhëhiqeshin nga prokurorët e PSP-së, e sot drejtohen po nga të njëjtët, por si përfaqësues të Prokurorisë Themelore.
Gjykimi që drejtohet nga gjykatësi, Osman Shabani, me prokurore, Lile Stefanovskën, filloi me leximin e 4851 dëshmive nga 5900 sa janë gjithsej. Fillimisht i pandehuri, Ilija Dimovski, kërkoi anulimin e gjykimit, sepse, sipas tij, prokurorët nuk munden të përfaqësojnë një prokurori, ndërkohë që sipas informatave që posedojnë, paguhen nga një prokurori tjetër.
Ai kërkoi sqarim nga gjykata edhe për faktin se në bazë të cilit parim ligjor janë marrë lëndët nga PTHP, si dhe qasje deri te letra e Katica Janevës për dorëzimin e lëndëve që iu dërgua nga paraburgimi prokurorit shtetëror Jovevski. Edhe për avokatët mbrojtës, prokurorja, Lile Stefanova, me vendimin e Këshillit të Prokurorëve Publikë, është rikthyer në vendin e mëparshëm të punës në Prokurorinë e Radovishit dhe nuk është kompetente për të përfaqësuar organin e akuzës.
Sipas avokatit mbrojtës, Elenko Millanov, kryeprokurori publik nuk ka të drejtë të autorizojë një prokuror nga Prokuroria Themelore në Radovish, sepse, sipas kualifikimit ligjor, lëndën mund ta përfaqësojë vetëm një prokuror nga Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Mbrojtja përkujton se Ligji për PSP-në është ende në fuqi dhe vazhdimi i seancës do të thotë shkelje e Ligjit për Prokurorinë Publike dhe Ligjit të Procedurës Penale. Stefanova është e prerë se ka autorizim për të përfaqësuar lëndën.
Gjykata hodhi poshtë propozimet e mbrojtjes dhe të akuzuarve. Edhe sipas gjykatësit Shabani, prokurorja ka autorizim ligjor dhe mund të vazhdojë të përfaqësojë lëndën.
Për rastin “Titanik”, ish kryeministri Gruevski, bashkë me 22 persona, përfshirë funksionarë të lartë të VMRO-së, akuzohen për mohim të së drejtës së votës, ryshfet gjatë zgjedhjeve, shkatërrim të materialit zgjedhor, si dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
