Maqedoni

(Pa)barazia gjinore, të rritet përfaqësimi i grave në mbulimin mediatik

24.09.2019 15:45

Mediat në Maqedoninë e Veriut nevojitet që të risin përfaqësimin e grave gjatë mbulimit mediatik...

Mediat në Maqedoninë e Veriut nevojitet që të risin përfaqësimin e grave gjatë mbulimit mediatik, që të ulet disbalanci midis gjinive dhe gjuha e urrejtjes drejtuar grave.
 
Konstatimi doli nga debati që organizoi Instituti Demokratik Nacional. Drejtori i Institutit, Kris Henshou, tha se mospërfaqësimi i duhur i grave demotivon ato që të merren me politikë.
 
“Nëse gratë nuk janë të përfaqësuara në media, atëherë gratë e reja në Maqedoni nuk do të vendosin që të kyçen në politikë. Na nevojiten njerëz, media përgjegjëse të cilat do të prezantojnë të arriturat e femrave”,- deklaroi drejtori i Institutit Demokratik Nacional, Kris Henshou.
 
Balancin midis gjinive do ta bënin të mundur vetëm media që trajtojnë këtë problematikë, është shprehur ambasadori i misionit të OSBE-së në Shkup, Klemens Koja.
 
“Vetëm mediat e ndjeshme në aspekt të gjinisë do të mundësojnë ndryshime pozitive në jetën politike dhe ndryshim të mentalitetit. Të jem i qartë duhet të bëhet shumë që të arrihet barazi gjinore në jetën politike”,- theksoi ambasadori i OSBE-së, Klemens Koja.
 
Në vijë të njëjtë është edhe veterania e politikave në transicion, Françeska Binda, pasi sipas saj shifrat për trajtimin e gruas në media janë të ulëta.
 
“Vetëm 16% nga të gjitha shkrimet në mediat, përfshirë edhe debate, kanë të bëjnë për gratë, ashtu që edhe shumë punë kemi për atë se si mediat i mbulojnë gratë në politikë”,- theksoi veterania e politikave në tranzicion, Françeska Binda.
 
Deputetja, Gjylymsere Kasapi, ka deklaruar se beteja kundër gjuhës së urrejtjes ndaj gruas politikane vazhdon.
 
“Ne veç më kemi vendosur të luftojmë ashpër dhe të gjithë së bashku, sikur një, me një zë kundër gjuhës së urrejtjes ndaj gruas në përgjithësi dhe në veçanti gruas politikane”,- u shpreh deputetja, Gjylymsere Kasapi.
 
Debati është vazhdim i aktiviteteve të Institutit Demokratik Nacional për avancimin e barazisë gjinore, por edhe të arrihen zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohen gratë në përditshmëri.
 
MERAL ISMAILI