Todorov, propozon hapjen e një qendre rajonale shëndetësore
Hapjen e një qendre në kuadër të rrjetit shëndetësor të vendeve të Evropës Juglindore, i cili në vazhdimësi do të jetë në funksion për t’i ndihmuar të gjitha vendet të cilat do të përballen me vështirësi apo probleme në aspektin shëndetësor...

Këtë e ka kërkuar ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, i cili po merr pjesë në takimin e komitetit rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që po zhvillohet në Kopenhagë.
Ai ka veçuar nevojën e themelimit të kësaj trupe, me qëllim të evitimit të problemeve sidomos me vërshimet me të cilat janë përballur shumë vende të rajonit.
“Gjatë fjalimit tim u përqendrova në më shumë tema, por me theks të veçantë në iniciativat të cilat i kemi në kuadër të rrjetit shëndetësor. Ajo ka të bëjë me themelimin e një qendre, e cila do të merret me situata kritike nga aspekti shëndetësor, siç kishim rast të ngjashëm me vërshimet në Bosnjë, Kroaci, Serbi dhe Bullgari. Duam të themelojmë një trupë të përhershme, e cila në situata të vështira do të mund të reagojë shpejt”- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov.
Ministri Todorov, në kuadër të këtyre aktiviteteve të OBSH-së për rajonin, do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të vendeve të Evropës Juglindore, pjesëmarrës në këtë takim.
Ai beson se Organizata Botërore e Shëndetësisë do ta mbështesë rrjetin shëndetësor të rajonit, ndërsa si dëshmi për këtë do të jetë konferenca e cila në fillim të nëntorit do të mbahet në Shkup, në të cilën pritet të marrë pjesë drejtori rajonal i OBSH-së për Evropë, Suzana Jakab, si dhe ministrat e vendeve anëtare të rrjetit shëndetësor për Evropën Juglindore. (Gyltene Sinani, TVM2)
