Maqedoni
Nevojat e tregut të punës, Azeski: Shteti nuk ka strategji, të përveshim vetë krahët
24.09.2019 17:33
Arsimi në vend nuk po arrin të ndjek trendet ekonomike dhe tregun e punës...

Ky është vlerësimi i ekspertëve të Odës Ekonomike dhe MASh-it, të cilët po tentojnë ta ndryshojnë këtë paradigmë. Shteti është rregullator i keq i ekonomisë së tregut konsideron numri një i Odës Ekonomike, Branko Azeski, i cili kërkon mobilizim të punëdhënësve për tejkalimin e këtij problemi.
“195 fakultete dhe 135 shkolla të mesme dhe asnjë reagim sa i përket ndërprerjes së punës së tyre. Pamë se çfarë bëri me statusin e profesorëve, të njëjtët i solli në gjendje të mjerueshme ekonomike dhe tani kërkojmë arsimim cilësor. Nuk duhet të presim vetëm nga shteti t’i kryejë punët tona, të na subvencionojë, por duhet vet t’i përveshim krahët. Disa nga punëdhënësit që janë ekonomikisht të fuqishëm vetë të marrin masa, vetë të formojnë paralele që i përshtaten tregut të punës”,- tha kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski.
MASh dhe ekspertët ekonomikë: Të rritet përqindja e nxënësve në arsim profesional
Vetëm 58 për qind prej nxënësve vazhdojnë arsimin profesional, por edhe atyre iu mungojnë aftësitë profesionale, ndërkohë vendi vazhdon të ketë politikë regjistruese të padrejtë dhe mungon edhe arsimimi gjatë tërë jetës.
“Patjetër duhet të përmirësojmë arsimimin profesional dhe t’i nxisim nxënësit të përzgjedhin arsimin profesional, që të arrijmë vizionin tonë e ai është 70 për qind nxënësve të regjistruar në arsimin profesional dhe 30 për qind në gjimnaze”,- tha Natasha Janevska nga MASh.
“Jemi shumë pas Europës sa i përket arsimit gjatë tërë jetës. Vetëm 2.3 për qind prej popullsisë në moshë prej 25 deri në 64 vjeç ndjekim trajnime të tilla, përkundër vendeve evropiane, ku janë 11 për qind. Tek ne edhe të punësuarit nuk janë të pajisur me aftësi të nevojshme për punë”,- u shpreh eksperti ekonomik, Nikica Mojsovska Bëllazhevski.
Analizat tregojnë se 100 mijë persona janë kërkues aktivë të punës, prej të cilëve 420 mijë janë në moshë të re deri më 29 vjet, andaj këto institucione duhet të koordinojnë aktivitetet që të rinjtë të pajisen me shkathtësitë e nevojshme për tregun e punës, u tha me këtë rast.
FLUTURA LATIFI
