Maqedoni
Pr/ligji për PP, negociata për të zbardhur apo për të mbrojtur krimin?!
24.09.2019 18:15
Më shumë lojë dhe kusuritje politike, sesa negociata....

LSDM dhe VMRO-DPMNE vazhdojnë përplasjen me qëndrime kontradiktore rreth projekt ligjit për prokurori publike. Debati dhe akuzat e ndërsjella sillen rreth çështjes se kush më shumë dëshiron të mbrojë krimin dhe kriminelët. Sipas pushtetit, opozita dëshiron të mbrojë ish zyrtarët e saj, por edhe zyrtarë të tanishëm nga lëndët që burojnë nga përgjimet e paligjshme.
“Ftojmë në dialog dhe u japim shans bisedimeve, pasi vendimi do të merret në Kuvend. I ftojmë që të tejkalojmë dallimet dhe përfundimisht VMRO-DPMNE të distancohet nga ajo që nënkupton mbrojtjen e krimit dhe përpjekjen për amnistimin e kriminelëve në radhët e saj dhe së bashku të vihemi në funksion të drejtësisë dhe shtetit ligjor. Konsideroj se kjo kërkesë është legjitime dhe në frymën e demokracisë dhe parimeve demokratike që duhet t’i ndërtojmë së bashku”,- deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Ndërkaq, opozita thotë se pushteti kërkon të mbrojë me ligj zyrtarët e saj të përfshirë në rastin “Zhvatja”, prandaj ministrja e drejtësisë në takimin e fundit mes grupeve punese ka prezantuar propozim të ri, i cili sipas opozitës ka qenë larg asaj që janë dakorduar Zaev dhe Mickovski në takimin e fundit.
“Ministrja, Renata Deskoska, kishte ardhur në takim e papërgatitur me propozim të kundërt nga ai që ishte diskutuar paraprakisht në takimin e liderëve, përkatësisht i kundërt me propozimin e dorëzuar në Kuvend. Praktikisht, me këtë, Deskoska, Zaev dhe LSDM dëshirojnë të fitojnë kohë dhe të zvarrisin miratimin e ligjit dhe ndoshta në ndonjë mënyrë të amnistojnë krimet që aktualisht po i bën LSDM”,- theksoi zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
Një ditë më parë, grupet punuese pezulluan takimin me arsyetimin se kanë interpretime të ndryshme të konkluzave nga takimi Zaev-Mickovski. Megjithatë, paralajmëruan mundësinë për takim të ri brenda javës.
SHPËTIM NUREDINI
