Mjekët dhe specialistët drejtë për së drejti me qytetarët në telefon
Mjekët dhe specialistët filluan të komunikojnë me qytetarët për gjendjen e tyre shëndetësore drejt për së drejti nëpërmjet linjës telefonike........

Projekti qeveritar “Alo Mjek”, prej ditës së sotme filloi të zbatohet në tërë territorin e vendit dhe mbi 100 qytetarë janë paraqitur në Qendrën e Thirrjeve për tu konsultuar për gjendjen e tyre shëndetësore.
“Prej orës 8 të mëngjesit, sot filloi të zbatohet projekti qeveritar “Alo Mjek” në teren. Sipas informacioneve, në këtë linjë telefonike deri më tani janë paraqitur mbi 100 persona në të gjithë territorin e vendit. Linjat telefonike janë të hapura dhe të njëjtat punojnë me intensitet të madh, ndërsa qytetarët janë duke u konsultuar me mjekët për gjendjen e tyre shëndetësore. Qëllimi kryesor i këtij projekti është të shkarkohen shërbimet e Ndihmës së Shpejtë nga thirrjet e qytetarëve, të cilat nuk janë të justifikuara si të tilla”- deklaroi drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në “Bit Pazar”, Tatijana Bajevska-Vuçkoviq.
Në realizimin e këtij projekti do të kyçen edhe drejtuesit e spitaleve, specialistët me eksperiencë të madhe të punës dhe mjekët të pensionuar. Prej orës 18 deri në orën 22, çdo ditë, në linjën telefonike qytetarët do të mund të kontaktojnë dhe të marrin këshilla edhe nga drejtorët e klinikave.
Me projektin “Alo Mjek”, qytetarët mund në numrin e telefonit 15-123 të konsultohen për një gjendje të caktuar shëndetësore dhe njëkohësisht të marrin këshilla nga mjekët rreth kurimit të një sëmundjeje të caktuar.
Të anketuarit e TVM-2 në përgjithësi ishin të informuar për projektin “Alo Mjek”. Ata janë të mendimit se konsultimet telefonike me mjekët do të ishin në dobi të qytetarëve në rastet urgjente.
“I mirë është ky projekt, mund të lajmërohemi te mjeku dhe konsultohemi”- u shpreh një qytetarë.
“Konsultimi me mjekun është i mirë në përgjithësi. Për shembull unë jam me sëmundjen e diabetit dhe gjithçka mund të më ndodhë dhe të konsultohemi me mjekun do të ishte ide e mirë”- tha një qytetare.
“Pse jo, do të lajmërohemi për konsultime, mirëpo unë nuk di ku të lajmërohem. Si projekt i mirë duhet të jetë, por nëse e realizojnë si duhet, pse jo”- theksoi një qytetarë.
Qendra e projektit “Alo Mjeku” ndodhet në Ndihmën e Shpejtë Mjekësore afër Poliklinikës “Bukuresht” në Shkup. Në rast se konstatohet se pacienti ka nevojë për ndihmë, atëherë qendra do ta dërgojë Ndihmën e Shpejtë Mjekësore. (Rexhep Qamili, TVM2)
