Maqedoni

Ministria e Kulturës: Kastrati të kërkojë falje publike

24.09.2019 19:04

Pas deklaratës së djeshme të kompozitorit, Artan Kastrati, i cili akuzoi Ministrinë e Kulturës....

Pas deklaratës së djeshme të kompozitorit, Artan Kastrati, i cili akuzoi Ministrinë e Kulturës për ndarje të mjeteve në mënyrë jo të barabartë, ka reaguar Komisioni për manifestimin “Vala e re kulturore 2019”. Nga Komisioni sqaruan se pse aq të holla i janë ndarë kompozitorit Kastrati dhe kërkuan nga ai që brenda 24 orëve të tërheq deklaratën dhe të kërkojë falje publike, në të kundërtën do të padisin në organet kompetente. 
 
“Fletëparaqitja e tij në përshkrimin e projektit dhe impaktin, mezi që i ka shkruar dy reshta, dua ta them patjetër… Ai merr guximin që të krahasohet me persona tjerë, që nuk është aspak e hijshme dhe nuk është korrekte edhe ndaj kolegëve të tij. Ai thotë se ky projekt ka marrë 400 mijë den., mirëpo ai nuk e din se në atë projekt ka mbi 20 pjesëmarrës. Nëse i ndajmë proporcionalisht ato, del që në fund Artani me një pjesëmarrës do të marrë më shumë mjete”,- deklaroi kryetari i komisionit në Ministrinë e Kulturës, Ismet Ramadani.
 
Kastrati: Falje po, të rishqyrtohen meritat e mia edhe njëherë
 
Por, kompozitori Kastratri thotë se një autor i 600 këngëve nuk mund të krahasohet me një autor që ka bërë 6 këngë. Ai thotë se rastin e kanë të njohur të gjithë nga kryeministri e deri tek Ambasada e SHBA-së si dhe kërkon të rishqyrtohet lista se kush ka fituar më shumë mjete. 
 
“I kërkoj falje normalisht, por edhe një herë potencoj se nuk do të ndalem nëse nuk rishqyrtohen meritat e mia dhe vlerat e mia. Do të vazhdoj, por me dëshmi unë do t’i shpalos të gjithë ata që kanë kaluar  dhe do t’i nxjerr lidhjet farefisnore dhe bizneset që bëjnë midis tyre, ju lutem shpalosni rezultatet e pjesëmarrësve dhe krahasojini me mua kush janë ata muzicientë që kanë marrë para më shumë se unë”,- u shpreh kompozitori, Artan Kastrati.
 
Ministria e Kulturës, kompozitorit Artan Kastrati i ndau 100 mijë denarë për projektin “20 vjet me këngët e Leonora Poloskës dhe Artan Kastratit”, dhe jo 600 mijë denarë sa kërkoi dhe kjo ka bërë që të revoltohet Kastrati.
 
REJHANE BUSHI METAJ