Festivali “Ditët e Naimit” prej 16 deri 19 tetor
Festivali ndërkombëtar i poezisë “Ditët e Naimit”, i 18-ti me radhë, do të mbahet nga data 16 deri më 19 tetor........

Këtë e bëri publike drejtori i këtij festivali, Shaip Emërllahu. Ai sot në një pres-konferencë bëri të ditur edhe laureatin e sivjetmë, i cili do të jetë poeti italian, Sebastiano Graso.
Ky poet italian famën e tij e ka krijuar si gazetar, ku ka shkruar edhe për fytyra eminente shqiptare, si Ismail Kadarenë dhe Ibrahim Kodrën. Sipas Emërllahut, drejtorit të këtij festivali, deri më tani pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në festival i janë përgjigjur rreth 24 poet të huaj dhe rreth 20 poet nga bota shqiptare.
“Juria profesionale me kryetar Visar Xhitin, anëtar Xhelal Zenelin dhe Ndue Ukajn shpallën laureatin e këtij viti, ai do të jetë milanisti italian, Sebastiano Graso. Edicioni i 18-të i festivalit të poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej më 16 deri më 19 tetor dhe deri tani kanë konfirmuar ardhjen gjithsej 24 poet nga e gjithë bota dhe 20 poet shqiptarë edhe atë nga SHBA, Argjentina, Islanda, Gjermania, Franca, Belgjika e kështu me radhë. Sipas rregullores, laureatin e sivjetmë juria e shpallë edhe anëtar nderi”- deklaroi drejtori i festivalit të poezisë “Ditët e Naimit”, Shaip Emerllau.
Ndërkohë, për figurën e laureatit të sivjetmë, Sebastiano Graso, foli kryetari i jurisë së festivalit të poezisë, Visar Zhiti.
“Sebastiano Graso është poet i njohur në vendin e tij, ka lindur në vitin 1947 në Sicili të Italisë. Atje ka kryer fakultetin dhe ka qenë profesor i gjuhës italiane në universitetet e atjeshme, pastaj ka punuar në Milano, është gazetari më i njohur i gazetës italiane “Koriere dela sera”. Ka punuar në zyra të njohura të kësaj gazete, ku ka pasur edhe fitues të çmimit nobel, si Dino Buzati dhe Muntale. Ky njeri edhe sot e kësaj dite vazhdon të punojë në këto zyra. Kultura shqiptare për këtë njeri s’ka qenë e huaj, ai ka shkruar për Ismail Kadarenë, por edhe për mikun e tij, piktorin me famë botërore, Ibrahim Kodran”- tha kryetari i jurisë së festivalit të poezisë “ Ditët e Naimit”, Visar Zhiti.
Ky festival tashmë është kthyer në një nga evenimentet më të rëndësishme të kulturës së shqiptarëve të Maqedonisë dhe ka mbështetjen e të gjithë dashamirëve të kulturës. (Memedali Jusufi, TVM2)
