Maqedoni
Xhaferi në Kazakistan: Të gjejmë moduse të bashkëpunimit të ndërsjellë
24.09.2019 18:05
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, po qëndron në Kazakistan, në takimin e katërt të kryetarëve...

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, po qëndron në Kazakistan, në takimin e katërt të kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Euroazisë në temën: "Euroazia e madhe: Dialog. Besim. Partneritet”, ku marrin pjesë delegacione parlamentare nga 60 vende dhe 39 kryetarë të parlamenteve nacionale të Europës dhe Azisë, si edhe 13 asamble parlamentare ndërkombëtare. Në fjalimin e tij, Xhaferi potencoi se qëllimi kryesor i këtij forumi është të vendoset dialog i drejtpërdrejtë multilateral dhe bilateral ndërmjet kryetarëve të trupave ligjvënës të Evropës dhe Azisë.
“Përgjegjësia jonë si ligjvënës është të gjejmë dhe të mundësojmë mënyra për mbrojtjen e interesave të ndërsjella të shteteve tona dhe të gjemë moduse për zhvillimin e lirë të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve, për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe shërbimeve, për bashkëpunimin shkencor, kulturor, arsimor, mjekësor, turistik dhe çdo bashkëpunimi tjetër ndërmjet vendeve”,- deklaroi Talat Xhaferi.
Xhaferi theksoi se të gjitha vendet anëtare duhet ta shfrytëzojnë këtë platformë, qëllimi i së cilës është Euro-azia më e madhe. Xhaferi, po ashtu realizoi takim edhe me kryetarin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Cereteli.
FITIM KRYEZIU
