Botë
Liderët botërorë ftojnë për një takim Trump-Rohan
25.09.2019 12:17
Britania, Franca, Gjermania dhe Japonia janë përpjekur të bindin udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Iranit...

Britania, Franca, Gjermania dhe Japonia janë përpjekur të bindin udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për të ringjallur diplomacinë derisa ata morën pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ndërkohë, kryeministri pakistanez, Imran Khan, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite i kërkuan atij të ndërmjetësonte me Iranin, për të qetësuar tensionet.
Marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Iranit janë tensionuar që nga viti i kaluar kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u tërhoq nga një marrëveshje bërthamore me Teheranin, dhe vendosi sërish sanksione që synojnë industrinë e saj të naftës dhe në fushën e financave. Trump ka thënë se marrëveshja ishte e negociuar keq dhe se ajo i mundësonte Iranit të posedojë armë bërthamore.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se do të ishte "një mundësi e humbur" nëse presidenti iranian, Hassan Rohani, do të largohej nga Shtetet e Bashkuara, pa u takuar me Trumpin. Kryeministri britanik, i cili u takua me Rohanin dhe Macronin në Kombet e Bashkuara, mbështeti deklaratën e presidentit francez.
Drejtuesit e Gjermanisë dhe Japonisë gjithashtu mbajtën takime me Rohanin dhe Trumpin, duke u kërkuar atyre të takohen. Ndërkohë, Khan u tha gazetarëve se Trump i kishte kërkuar që "të ulë tensionet dhe ndoshta të dilet me një marrëveshje tjetër bërthamore". Khan tha se pas takimit me Trumpin menjëherë u takua me presidentin Rohani. Ai tha se Pakistani “po përpiqet të ndërmjetësojë".
