MAQEDONI-SERBI

Maqedonia dhe Serbia me ambasada të përbashkëta

15.09.2014 18:04

Maqedonia dhe Serbia do të kenë përfaqësi të përbashkëta konsullore diplomatike jashtë vendit......

Për këtë qëllim, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Serbisë, Ivica Daçiq dhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Popopovski, nënshkruan memorandum për shfrytëzim racional të resurseve në korrelacion të përfaqësive të përbashkëta diplomatike-konsullore.

Së shpejti pritet të definohen se në cilat lokacione dhe vende ky bashkëpunim do të jetë i nevojshëm dhe i mundur. Mes Maqedonisë dhe Serbisë ka shumë projekte dhe prioritete të përbashkëta, ndërsa të dyja vendet kanë synim anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Sot kishim mundësi të nënshkruajmë një memorandum për ndarjen e resurseve dhe shfrytëzimin e përfaqësive diplomatike – konsullore, gjegjësisht ndarjen e shpenzimeve për këto përfaqësi jashtë vendit. Mendojmë se kjo është një hap plotësues në pjesën e financave dhe racionalizimin e të gjitha atyre resurseve të cilat janë të patjetërsueshme, ndërsa në kushte të krizës që është prezente në Evropë janë mjaft të rëndësishme”- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski.

“Maqedonia dhe Serbia janë vende miqësore, ndërsa interes i përbashkët i tyre janë marrëdhëniet bilaterale të jenë sa më të mira. Serbia e përkrah të ardhmen evropiane të Maqedonisë. Ky rajon pa arsye, me vite dhe dekada është nënvlerësuar në krahasim me pjesët e tjera të Evropës dhe për atë meriton sa më shpejtë të inkuadrohet në BE”- tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të R. Serbisë, Ivica Daçiq.

Shefat e diplomacive të Maqedonisë dhe Serbisë, paralajmëruan se seanca e dytë e përbashkët e qeverive të të dy shteteve do të mbahet në Shkup, në tetor ose nëntor të këtij viti. Ministri Poposki, mes tjerash potencoi se në pjesën e bashkëpunimit ekonomik është biseduar për çështjen e zhvillimit të turizmit, për korridorin 10 dhe për zgjidhjen e tërësishme të autostradave dhe përparimin e lidhjes hekurudhore, por edhe për lidhjen energjetike të të dy vendeve.

Daçiq gjatë ditës së sotme gjithashtu realizoi takim edhe me presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov dhe me kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanvoski. (Florije Kamberi, TVM2)