Maqedoni

Panairi i industrive të vogla, bashkëpunim rajonal për qasje në tregjet globale

25.09.2019 13:58

Rritja e konkurueshmërisë së kompanive vendore dhe përfshirja e tyre në tregje të reja globale....

Rritja e konkurueshmërisë së kompanive vendore dhe përfshirja e tyre në tregje të reja globale, mund të realizohet vetëm nëpërmjet thellimit të bashkëpunimit rajonal. Këtë synon edhe panairi i industrive të vogla, i cili këto dy ditë është hapur në Shkup, ku marrin pjesë mbi 100 kompani prodhuese, 33 kompani blerëse dhe 15 IHD. Përveç kompanive vendase, marrin pjesë edhe kompani nga Gjermania, Holanda, Japonia, Greqia, Sllovenia, Serbia, Shqipëria dhe Kosova. Kjo sipas organizatorëve është mundësi e mirë që kompanitë vendase të krijojnë kontakte me ato të huajat.
 
“Misioni ynë është t’i lidhim prodhuesit vendas të kësaj industrie me kompanitë e huaja, për të lehtësuar hyrjen e tyre në tregjet botërore. Nënshkrimi i kontratave me vlerë rreth gjysmë milioni euro është rezultati i konferencës së vitit të kaluar. Ne vlerësojmë se ky është një numër i shkëlqyeshëm, veçanërisht duke marrë parasysh që të bërit furnizues i një kompanie të huaj është një proces afatgjatë”,- tha kryetarja e MAMEI, Marta Naumovska Grnarova.
 
Sipas ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, këto panaire janë të mirëseardhura për kompanitë e vogla dhe të mesme.  
 
“Do t’i mbështesim evenimentet e tilla, do t’i mbështesim organizatat e tilla, sigurisht në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, me të vetmin qëllim, që kompanitë tona të jenë më konkurrente në rajon, në nivel evropian, në nivel global dhe njëkohësisht duke krijuar bashkëpunime të reja, duke fituar tregje të reja, të krijojnë edhe vende të reja të punës në vendin tonë”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Panairi është organizuar edhe nga delegacioni i ekonomisë gjermane në Maqedoni, me mbështetjen edhe të Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar USAID dhe Ambasadës holandeze.
 
ERSAN PAJAZITI