Dialogu MASh-SAShK vazhdon këtë javë, Ademi: Punohet për zgjidhje të pranueshme

25.09.2019 15:20

Negociatat me SAShK-un për rritjen e pagave...

Negociatat me SAShK-un për rritjen e pagave në sektorin e arsimit do të vazhdojnë gjatë kësaj jave.

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, duke konfirmuar takimin, sqaron edhe se pret që i njëjti të jetë  konstruktiv e thotë se po shqyrtohen të gjitha të dhënat dhe parametrat për rritjen e sërishme të pagave.

I pyetur për qëndrimin e udhëheqësisë së SASHK-ut se është paralajmëruar bojkot ose forma tjera proteste  nëse pagat nuk rriten, Ademi doli me përgjigje se dialogu që po zhvillohet ka për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët.

“Është e rëndësishme të arrihet një zgjidhje e cila për të dyja palët është e pranueshme, sesa afate të caktuara. Ne kemi komunikim tejet korrekt, konstruktiv dhe po shfaqim seriozitet nga ana jonë për rritje të sërishme të pagave, më me rëndësi se sa afatizime të caktuara”,- deklaroi ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

Arsimtarët ndërkohë nuk kanë ankesa vetëm për pagat e ulëta, por edhe për kushtet në të cilat punojnë. Ademi premton se së shpejti do të zgjidhet edhe problemi me librat e muzikës për klasën e gjashtë deri në të nëntën, me të cilat shkollat ende nuk janë furnizuar.

Sipas tij, procedura ka ngecur në komisionin nacional i cili ende po shqyrton  tekstet e arritura, e pasi ky komision të përcaktohet, teksti i përzgjedhur do të distribuohet nëpër shkolla.

Komentet ministri Ademi i bëri në konferencën kushtuar reformimit të arsimit të mesëm profesional, me profile të reja, sipas kërkesës së tregut të punës. (Flutura Latifi, TVM2)