Maqedoni

Reforma në modelin zgjedhor, Pendarovski: Ndryshimet, me mbështetjen e opozitës; Mançevski: Nevojitet vullnet i mirë politik; Deskoska: Grupet e punës do të rinisin bisedimet; Gerberih: Nevojitet unifikim i gjitha bashkësive etnike

25.09.2019 15:36

Vazhdon debati publik për reforma në modelin zgjedhor...

Një pjesë e partive janë për ndryshim të kufijve të njësive zgjedhore, pjesa tjetër për një njësi zgjedhore. Presidenti, Stevo Pendarovski, në debatin e organizuar nga “Civil”, tha se zgjedhjet e suksesshme nuk janë kushti i vetëm që një sistem politik të cilësohet si demokratik.
 
Demokracia, sipas Pendarovskit, është më shumë se zgjedhjet. Që kjo të realizohet duhet të krijohet hapësirë për ide të ndryshme, kulturë politike dhe kompromis.
 
“Do të duhet të diskutojmë dhe propozojmë zgjidhje duke u nisur nga interesi publik dhe të ardhme demokratike më të mirë për të gjithë qytetarët, e jo duke u nisur nga interesat partiake apo personale. Reforma të përshpejtuara dhe shumë të shpeshta, ose reforma pa mbështetjen edhe të partive opozitare janë reforma më të këqija krahasuar me sistemin aktual”,- u shpreh presidenti, Stevo Pendarovski.
 
Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, paralajmëroi rinisje të bisedimeve të grupeve të punës për ndryshime në kodin zgjedhor.
 
Ajo theksoi se vendimi do të merret me konsensus. Por, përfaqësuesit e VMRO-së me të cilët duhet arritur dakordim, nuk ishin të pranishëm në debat. 
 
“Do të rinisim debatin duke pasur parasysh rekomandimet e OSBE-ODIHR-it në zgjedhjet e kaluara. Gjithashtu do të hapim edhe çështjet që janë aktuale në skenën politike. Ne do të jemi ndërmjetës dhe s’do përmbajmë asnjë reformë pa konsensus të partive kryesore”,- theksoi ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
 
Faktori ndërkombëtar kërkon respektimin e standardeve dhe reformave. Ambasadori i Gjermanisë, Tomas Gerberih, tha se nevojitet unifikimi i gjitha bashkësive etnike në vend.
 
“Këto përpjekje do të duhet të përforcohen dhe të japin rezultate për çdo qytetar. Këto përpjekje duhet të përfshijnë reformën në sistemin zgjedhor. Për këtë qëllim, gjitha etnitë do të duhet të bashkohen dhe bashkë të punojnë në tejkalimin e ndasive në shoqëri”,- u shpreh ambasadori i Gjermanisë, Tomas Gerberih.
 
Para ca kohe, 12 deputetë nga dhjetë parti dhe një deputet i pavarur ngritën iniciativë për ndryshimin e modelit zgjedhor. Kërkojnë që sistemi zgjedhor nga gjashtë të kalojë në një njësi zgjedhore.
 
MERAL ISMAILI