Fillimi i negociatave për RMV-në dhe Shqipërinë, të enjten pritet vendimi pozitiv i Bundestagut

25.09.2019 16:32

Dy partitë kryesore në Bundestagun gjerman, kristian-demokratët (CDU ) dhe socialdemokratët (SPD)....

Dy partitë kryesore në Bundestagun gjerman, kristian-demokratët (CDU ) dhe socialdemokratët (SPD), u dakorduan që t'i japin dritë të gjelbër Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për t'i hapur bisedimet me Bashkimin Evropian.

Drafti i miratuar  kërkon hapjen e negociatave duke njohur se RVM dhe Shqipëria kanë  bërë përparim në kriteret kyçe për integrim.

Deputetja e socialdemokratëve, Nezahat Baradari, për Dojçe Wellen, ka raportuar se sinjali i partive gjermane në pushtet flet për rëndësinë e integrimit evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Fakti që  partitë e koalicionit kanë pastruar rrugën për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është sinjal i rëndësishëm për integrimin evropian të të gjithë rajonit”,- tha Baradari.

Ndërkohë, ambasadori gjerman, Tomas  Gerberish, thotë se Gjermania gjithmonë ka qenë partner të cilit mund t’i besohet dhe pret që Bundestagu të japë përgjigje pozitive për nisjen e bisedimeve të vendit me BE-në.

“Jam optimist se vendimi që do të merret do të jetë pozitiv dhe më pas të gjithë presim vendimin e Këshillit të BE-së. Unë jam më shumë se optimist se do të ketë vendim të qartë për nisjen e bisedimeve. Edhe përkundër të gjitha vështirësive, Maqedonia e Veriut u shndërrua në storje të suksesshme, sidomos në afrimin e rajonit”,- u shpreh ambasadori i Gjermanisë, Tomas Gerberih.

Në Gjermani po qëndron zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, i cili do të jetë prezent në Bundestag në kohën kur do të merret vendim final  për Maqedoninë e Veriut. Nga Gjermania, Osmani përcjell porosi pozitive për vendin tonë.

“Pas vendimit të djeshëm të CDU/CSU, për mbështetje të  integrimeve të RMV-së,  sot mesazhe të reja inkurajuese. Këtë herë nga ana e grupacionit të dytë më të madh politik pas SPD-së, mesazhe të cilat sot në takim, në Berlin, personalisht mi përcolli deputeti i Bundestagut nga radhët e SPD-së, Kristian Petri”,- theksoi Osmani. 

Zyrtarisht, Bundestagu gjerman do të sjellë vendim për RMV-në dhe Shqipërinë në seancën plenare të së enjtes, ndërsa vendimi përfundimtar për procesin e mëtutjeshëm eurointegrues është në duart e liderëve të BE-së më 17 tetor.  (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)