Maqedoni
Modeli zgjedhor, Deskoska: Ka qëndrime të kundërta mes partive
25.09.2019 16:48
Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoka, nuk është optimiste se partitë mund arrijnë marrëveshje rreth një modeli të ri zgjedhor....

Ka qëndrime të kundërta nga partitë politike se si duhet të jetë modeli zgjedhor, ndërsa miratimi i tij duhet të bëhet me konsensus, theksoi Deskoka para fillimit të konferencës përfundimtare të projektit “Mbrojtja juridike e të drejtave zgjedhore”, në organizim të Institutit për Hulumtime Juridike dhe Ligjore.
“VMRO-DPMNE deri më tani është paraqitur me qëndrim se janë për model zgjedhor të shumicës, ndërsa te BDI-ja nuk shoh disponim për një njësi zgjedhore, ashtu që nuk mendoj se do të kemi mundësi të bëjmë ndryshime, sepse në të vërtetë modeli zgjedhor pa konsensus, nuk do të ishte e referueshme të ndryshohet në asnjë vend, ashtu që unë atë rrezik nuk do ta merrja te ne”,- u shpreh ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
Memeti: Problem, përditësimi i regjistrit zgjedhor
Për Avokatin e Popullit akoma problem mbetet përditësimi i Regjistrit Zgjedhor.
“Përshtypja ime është se te institucionet përgjegjëse mungon, po e përsëris, mungon iniciativa reale për ndryshime thelbësore dhe cilësore. Kur e them këtë, para së gjithash mendoj në mënyrën e përditësimit të Regjistrit Zgjedhor”,- u shpreh avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Bërns: Me bashkëpunim mund të ketë sukses
Hulumtimi ka treguar se ciklet e fundit zgjedhore janë zbatuar sipas standardeve ndërkombëtare, por akoma mbeten probleme sistematike, tha ambasadorja e ShBA-ve, Kejt Bërns. Sipas saj, me një bashkëpunim midis institucioneve mund të shënohet përparim në këtë drejtim.
“Kodi Zgjedhor është dokument i gjallë dhe mund të ndryshohet, për avancimin e mëtejmë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Sistemi gjyqësor gjithashtu ka një rol të veçantë. Gjykatat luajnë rol të rëndësishëm në mbrojtjet e të drejtave të njeriut, siç është garantuar me kushtetutë”,- tha ambasadorja e ShBA-ve, Kejt Bërns.
Mbrojtja dhe avancimi i të drejtës për të votuar është prioritet i të gjitha institucioneve, tha ministri i brendshëm, Oliver Spasovki, në konferencën kushtuar të drejtës për të votuar. Sipas tij, në proceset e fundit zgjedhor është shënuar përparimi në etablimin e standardeve të larta demokratike.
NAIM RAMADANI
