Oda e Farmacistëve: Paraqisni dyshimet ose reaksionet nga ilaçet

25.09.2019 17:13

Dita botërore e farmacistëve u shënua me moton “Barna të sigurta dhe efektive për të gjithë”....

Dita botërore e farmacistëve u shënua me moton “Barna të sigurta dhe efektive për të gjithë”. Nga Oda e Farmacistëve u apelojnë pacientëve  por sidomos  punonjësve  shëndetësorë, që  nëse  dyshojnë në cilësinë e ilaçeve apo nëse vërejnë ndonjë reaksion , e ta paraqesin menjëherë.

“Farmacistët si dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë janë të obliguar ta paraqesin parregullsinë e hasur tek ilaçet. Për fat të keq, deri tani  ndoshta jemi ndër shtetet e rralla ku profesionistët mjekësor nuk paraqesin raste të tilla në mënyrë masive, siç ndodh në vendet e botës. Arsyeja mund të jetë edhe mospasja e kohës. Apeloj deri tek të gjithë punonjësit shëndetësor që të denoncohen dyshimet mbi efektet e padëshiruara që mund të shkaktojë ilaçi i caktuar”,- tha kryetarja e Odës së  Farmacistëve, Bistra Angellovska.

Dhënia e ilaçeve me letërnjoftim, Oda e Farmacistëve kundër, e quan masë pro formë

Nga Oda e Farmacistëve ankohen ndërkohë se as që janë njoftuar nga Fondi për vendimin se për të parandaluar keqpërdorimet në dhënien e ilaçeve, marrja e tyre do të bëhet vetëm përmes letërnjoftimit apo pasaportës.

“Çfarë roli luan nëse dikush do ta shohë letërnjoftimin tim? Çfarë kontrolli është ai? Letërnjoftimi im do merret në një barnatore, në të nuk mund të vendoset as vulë as asgjë. Nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar në këtë drejtim. Në interes të Odës është që mos ketë mënyra të tilla pro-formë për t’i frikësuar qytetarët përmes letërnjoftimit”,- u shpreh kryetarja e Odës së Farmacistëve, Bistra Angellovska.

Nga Oda e Farmacistëve nuk kanë as ndonjë informatë rreth paralajmërimeve të  ministrit Filipçe, për kyçje në rrjet të të gjitha farmacive, si masë parandaluese për keqpërdorimet.

“Fondi i shëndetësisë nuk është kompetent që të përcaktojë kush kyçet ose jo në rrjet. Ka kërkesa nga ana e farmacive të cilët punojnë jashtë rrjetit që duan të kyçen, ka paralajmërime. Në detaje ne nuk kemi informacion, por e përcjellim  situatën,  jemi në kontakt të vazhdueshëm me institucionet qoftë me Ministrinë e Shëndetësisë,  Agjencinë e ilaçeve  dhe fondin”,- u shpreh kryetari i Kuvendit të Odës së farmacistëve, Imer Imeri.

Në Ditën Botërore të Farmacistëve u promovua edhe rregullorja që do të stimulojnë farmacistët të paraqesin reaksionet negative në mënyrë që në kohë të mund të merren masa për të shpëtuar jetën dhe shëndetin e pacientëve. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)