Maqedoni
Komuna nuk lejon paralelen shqip, Ademi: Është vendim i papërgjegjshëm. Lëvizja Besa: MASh të marrë kompetencat, si ia bëri në dy komuna. ASh: Ademi të reflektojë e të japë dorëheqje. Kërkesa për përgjegjësi, Ademi: Pasojat t’i vuajnë ata që sollën vendim
25.09.2019 17:25
Komuna e Gazibabës këmbëngul që mos të ketë paralele në gjuhën shqipe në shkollën “Njegosh” të Idrizovës...

Nga kjo komunë thonë se kërkesa për hapjen e paraleles së re është bërë me vonesë, madje “brengosen” se formimi i paraleles për vetëm 11 nxënës do të kërkojë 10 punësime të reja.
Për ta zgjidhja më e mirë e këtij problemi do të ishte që këta fëmijë të dërgohen në shkollën fillore të fshatit Ognjancë me transport të organizuar. Për ministrin Ademi vendimi për moshapjen e paraleles në gjuhën shqipe është joserioz.
“Me të vërtetë është një vendim joserioz dhe i papërgjegjshëm, vendim i cili është non-sens. Si Qeveri do ta trajtojmë këtë çështje në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.
Nga Lëvizja Besa kërkojnë që ministri Ademi t’ia marrë kompetencat në arsim kreut të Gazibabës, siç veproi në komunat shqiptare. Në të kundërtën kërkojnë dorëheqjen e tij.
“Kur duhej që të vendosë ushtarë partiakë në shkollat që gravitojnë në komunat që udhëhiqen nga opozita shqiptare si në Zhelinë apo Gostivar, ai nuk hezitoi që t’i marrë ingerencat pushtetit lokal nga këto komuna opozitare, ndërsa tani kur shkelen drejtpërdrejt interesat e shqiptarëve të Idrizovës, ministri Ademi në vend që të veprojë duke ia marrë kompetencat në arsim komunës së Gazibabës, ai tregon mospasjen e fuqisë politike për të ndihmuar shqiptarët”,- theksoi Blerim Sejdiu nga Lëvizja Besa.
Dorëheqjen e Ademit e kërkojnë edhe nga Aleanca për Shqiptarët.
“Departamenti i arsimit pranë Aleancës për Shqiptarët përkujton ministrin e arsimit, se është radha të reflektojë dhe sa më shpejtë të japë dorëheqje, duke marrë parasysh skandalet që e kanë përcjellë këtë ministër dhe që përsëriten sot e kësaj dite. Veç një demagog i llojit të tillë pranon dhe vazhdon të qëndrojë ende në atë pozitë”-thonë nga ASh.
Por, Ademi sqaron se ministri nuk mund të marrë kompetencat e drejtorëve për mënyrën se si organizojnë mësimin. Sa i përket pasojave që fëmijët kanë nga humbja e orëve, thotë se pasojat duhet t’i bartin ata që sjellin vendime të papërgjegjshme.
“Çështja e organizmit të mësimit në një Komunë i përket vet Komunës dhe subjekteve arsimore, që është një cështje puro e pastër në nivel local. Mendoj se ata të cilët sjellin vendime të pa përgjegjëshme, duhet të mbajnë edhe përgjegjësi për vendimet e tyre të pa përgjegjëshme”, theksoi Ademi.
Prindërit vazhdojnë të këmbëngulin për hapjen e paraleles shqip në Idirizovë, ku duhet të mësojnë 11 nxënës të klasës së gjashtë.
Ata thonë se fëmijët do të vazhdojnë ti mbajnë në shtëpi dhe për këtë, sipas prindërve, përgjegjësi duhet të mbajnë institucionet përkatëse.
FITIM KRYEZIU
