Rruga Tetovë-Kodra e Diellit, inspektohen punimet e rikonstruimit

25.09.2019 18:08

Është duke përfunduar rikonstruksionimi dhe asfaltimi i rrugës nga Tetova për në Kodrën e Diellit...

Është duke përfunduar rikonstruksionimi dhe asfaltimi i rrugës nga Tetova për në Kodrën e Diellit. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ministri pa resor, Hisen Xhemaili, dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë”, Bekim Memedi, kanë inspektuar ecurinë e punimeve.

“Kjo rrugë ka rëndësi të madhe si për qytetarët e Pollogut – Tetovës, Gostivarit,  ashtu edhe në aspektin turistik. Pas përfundimit të asfaltimit të kësaj rruge, ne do të fillojmë edhe me fazën e fundit të sinjalizimit horizontal”,- tha drejtori i Ndërmarrjes Publike "Rrugët e Maqedonisë", Bekim Memedi.

“Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me institucionet e tjera, në kuadër të Qeverisë, jemi duke bërë përpjekje maksimale që të plotësohen kushtet, por njëkohësisht edhe t’i lehtësojmë të gjithë qytetarët që më shumë ta vizitojnë Kodrën e Diellit”,- u shpreh ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Përveç asfaltimit të rrugës, shumë shpejt do të vendoset edhe ndriçimi publik në rrugët pranë shtëpive të pushimit.

“Ka pasur iniciativë nga disa biznese të vendit, mirëpo që kanë vendosur shtylla kryesisht në vendet paraprake ku kanë qenë shtyllat, por ndriçimi publik brenda vikend-shtëpizave është në juridiksion e komunës së Tetovës me projektin që punohet për rehabilitimin e plotë të rrugëve brenda vikend-shtëpizave është i paraparë edhe ndriçimi publik”,- tha ministri pa portofol-  për investimet e brendshme, Hysen Xhemaili.

Gjatësia e rrugës që asfaltohet është mbi 18 km. Punimet kanë filluar në maj e do të përfundojnë këtë muaj. Në periudhën trejavore do të përfundojë edhe testimi i një ashensori gjashtëulëse për skijim që ELEM turs do ta vendosë në funksion para se të fillojë periudha e dimrit. (Sedat Selimi, TVM2)