Rasti "Zhvatja”, Boki 13 i pa dëshmitë me të cilat ngarkohet

25.09.2019 18:20

Pas katër orëve në prokurori, i dyshuari për rastin "Zhvatja", Bojan Jovanovski....

Pas katër orëve në prokurori, i dyshuari për rastin "Zhvatja", Bojan Jovanovski, pati mundësinë të shqyrtojë dhe të njihet me dëshmitë për të cilat e ngarkon prokuroria. Të dyshuarit dhe avokatit të tij mbrojtës u janë shpalosur dëshmitë verbale dhe materiale së bashku me video dhe audio-incizimet për të cilat prokuroria kishte kumtuar më herët.

Pas mbarimit dhe njoftimit me dëshmitë, i dyshuari Boki 13 është kthyer prapa në burgun e Shutkës, ndërsa avokati Dukovski tha se do të vazhdojnë të kenë shqyrtim në dëshmi, jo për shkak se dëshmitë janë të shumta, por se duhet shqyrtim i detajuar.

“Vlerësoj se kjo është dashur të behet shumë më herët, gjatë hetimit, mirëpo asnjëherë nuk është vonë, kështu që po bëjmë shqyrtim dhe do të vazhdojmë në ditët e ardhshme. Edhe pse është mbyllur hetimi, prapë se prapë është më mirë se sa të mos shqyrtohet e gjithë materiali, sepse aty nuk kishte vetëm dëshmi, por edhe materiale të tjera të cilat me siguri nuk do të vazhdojnë të jenë dëshmi më tutje në procedurë. Ka disa dëshmi që për shkaqe teknike nuk janë të gatshme, prandaj do të vazhdojë shqyrtimi i tyre. Masat e veçanta janë tërësisht të parëndësishme për këtë rast”,- deklaroi avokati mbrojtës, Sasho Dukovski.

Dukovski tha se nuk iu lejua që të shqyrtojë procesverbalin për dëgjimin e të dyshuarit të dytë, Zoran Milevskit, me arsyetimin se atë mund ta kërkojmë nga avokatët e tij mbrojtës.

Fundi i hetimit ka ndikuar që të dyshuarit të dytë, Zoran Milevskit, t’i pranohet ankesa dhe masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me atë të arrestit shtëpiak. Kërkesë për dalje nga paraburgimi dhe zëvendësimin e saj më masë tjetër alternative tani pas mbarimit të hetimit kanë paralajmëruar edhe avokatët mbrojtës të Boki 13 dhe Katica Janevës. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)