Sulm ajror në Jemen, 16 persona të vdekur, mes tyre 7 fëmijë

25.09.2019 20:03

Një tjetër sulm ajror është shënuar në Jemen....

Një tjetër sulm ajror është shënuar në Jemen duke lënë të paktën 16 të vdekur, 7 nga  viktimat janë fëmijë.

Dyshohet se sulmin e kryen Sauditët të cilët luftojnë në Jemen rebelët që mbështeten nga Irani, të njëjtët që morën përgjegjësinë për sulmet e 14 shtatorit mbi rafineritë e naftës në Arabinë Saudite që shkatërruan gjysmën e prodhimit të OPEC-ut dhe shokuan tregjet e energjisë.

Sulmi erdhi në një moment kur rebelët Huthi kanë ndaluar sulmet e tyre kundër Arabisë Saudite, një përpjekje për paqe kjo mes dy grupeve , që  me luftën e tyre e kanë çuar Jemenin në prag të krizës së urisë.

Të dhënat e organizatës botërore të ushqimit tregojnë se në gusht, 12.4 milion njerëz në Jemen kanë qenë në gjendje të pasigurisë për ushqime elementare, teksa situata e krijuar po con në shkurtimin edhe më të madh të rezervave ushqimore.  OBU alarmon se pa fonde, do të detyrohet të shkurtojë deri në tetor ndihmat që dërgohen në Jemen, e atëherë situata do të jetë edhe më e rëndë.

Për të siguruar një ndihmë të vazhdueshme për 6 muajt e ardhshëm, OBU ka nevojë edhe për 600 milionë dollarë.