Maqedoni

Osmani për Dojçe Wellen: Po hyjmë në rrugën e pakthyeshme drejt BE-së

26.09.2019 14:19

Sonte Bundestagu gjerman do t’i japë dritë jeshile çeljes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë....

Vendimi pritet të merret rreth orës 20:00. Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, është sot  enkas në Berlin për të ndjekur nga afër votimin e Bundestagut. Në një intervistë ekskluzive për Dojçe Velen, ai thotë se përse është kaq i rëndësishëm ky vendim për Ballkanin Perëndimor. Ta ndjekim në vazhdim intervistën që me të zhvilloi kolegia e DV, Anila Shuka.
 
“Për ne, Këshilli i BE-së i 15 tetorit, nuk është këshill i zakonshëm ku merret një vendim administrativ, por aty përcaktohet fati i Ballkanit Perëndimor. Nëse në Selanik në 2003 u dha perspektivë shpresës së Ballkanit Perëndimor për në BE, ky Samit, ose do të mbyllë përfundimisht këtë proces, ose do japë shpresë e dinamikë të mëtutjeshme. Jam i ftuar nga kryetari i Bundestagut, për të marrë pjesë në shprehjen e vullnetit të deputetëve për ta aprovuar vendimin për çeljen e negociatave”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
 
DW: Nëse RMV merr një “po” edhe nga Franca dhe Holanda, cilat janë sfidat që ju presin?
 
“Ka një keqkuptim edhe në Francë edhe në BE, se ne duam të anëtarësohemi nesër. Procesi është i gjatë e ne duam të inkorporohemi në një proces të pakthyeshëm të eurointegrimeve… Procesi do të ketë pasoja pozitive për shkak se do të nxisë dinamikën e reformave. Ne nuk do ndalemi në implementimin e reformave përkundrazi do t’i përshpejtojmë. Me vetë faktin që fillojmë me kapitullin 23, funksionimin e shtetit ligjor, kjo do jetë një shtytje më shumë për ne për të përforcuar mekanizmat për implementimin e shtetit ligjor, që është kërkesë e qytetarëve, nevojë e pashmangshme e shtetit dhe kërkesë e BE-së”,- tha Osmani.