Komuna e Gazibabës zgjidhje për Idrizovën, nxënësit shqiptarë të mësojnë në objekt të ri

26.09.2019 16:33

Kreu i komunës së Gazibabës, Boris Georgievski, ofroi objekt të ri....

Kreu i komunës së Gazibabës, Boris Georgievski, ofroi objekt të ri si zgjidhje ku do të vendoseshin nxënësit shqiptar të Idrizovës.

Ai u tha prindërve dhe gazetarëve se në pronësi të komunës së Gazibabës ka ndërtesa ekzistuese të cilat do rinovohen dhe adoptohen dhe brenda tre muajsh bashkërisht me MASh-in do t’i koordinojnë aktivitetet që nxënësit shqiptarë të mund të ndjekin mësimin në gjuhën amtare. Komuna do të përfundojë procedurat për objektin themelor, ndërsa MASh duhet të japë miratim dhe meqë vendi është në komunën e Gazibabës, komuna duhet të japë edhe leje për ndërtim.                                 

“Shpresoj se ky problem prej dekadash që po zgjatë të paktën 22 vite, mund ta zgjidhim shpejtë. Kemi objekte ekzistuese, do t’i rinovojmë dhe adaptojmë që të jenë në funksion, që të bëjmë ambient funksional për shkollën rajonale. Tre muaj janë shumë, mendoj se për periudhë më të shkurtër kohore do të zgjasë kjo procedurë dhe pjesa që ka të bëjë me administratën deri tek MASh do të përfundohet”,- tha kryetari i komunës së Gazibabës, Boris Georgievski.

Premtimi u bë në prezencë të deputetit dhe nënkryetarit të LSDM-së, Muhamed Zekirit, i cili njëherit theksoi se derisa të përfundohet adoptimi i objektit në Idrizovë, për nxënësit shqiptarë do të organizojë transport deri në shkollat “25 Maji” apo “Kongresi i Manastirit”.

Kjo, sipas Zekirit, është zgjidhje më e mirë sesa fëmijët të mos ndjekin procesin mësimor. Edhe ai premton se objekti do të jetë i gatshëm para gjysmëvjetorit të dytë.

“Ne do të bëjmë çmos që para gjysmëvjetorit të kryhet objekti dhe fëmijët të fillojë atje të mësojnë. Në këtë periudhë, 13 nxënës do të mund të transferohen atje ku prindërit dëshirojnë, të merren vesh mes vete se ku dëshirojnë dhe komuna do të sigurojë transport të veçantë për ata fëmijë deri sa të adoptohet objekti në fshatin Idrizovë”,- tha nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri.

Këshilli i prindërve: Oferta do të shqyrtohet të shtunën

Pas këtyre premtimeve, koordinatori i Këshillit të prindërve, Rizvan Seferi, tha se për këtë propozim duhet të merret pëlqim nga prindërit.

“Nëse për tre muaj para gjysmëvjetorit bëhet ky objekt, atëherë ne do të pajtohemi, nuk po flas prej tash, por duhet të pajtohen të gjithë, por nëse nuk zgjidhet ky problem, atëherë e dimë të gjithë se çfarë do të ndodhë pas kësaj procedure”,- theksoi koordinatori i prindërve, Rizvan Seferi.

Me këtë propozim, komuna e Gazibabës do ta informojë ministrin e Arsimit, Arbër Ademin, ndërsa Këshilli i prindërve do të shqyrtojë zgjedhjen e ofruar në takimin që do mbahet të shtunën në Idrizovë me kreun e komunës së Gazibabës, ndërsa Këshilli i prindërve paralajmëroi se do të ftohet për pjesëmarrje edhe ministri i Arsimit, Arbër Ademi. (Flutura Rahimi, TVM2)