Maqedoni

Subvencione për shporete me pelet, Bekteshi: Këtë vit do të përfitojnë më shumë amvisëri

26.09.2019 16:50

Deri në 25 mijë denarë do të përfitojnë amvisëritë...

Deri në 25 mijë denarë do të përfitojnë amvisëritë të cilat do të blejnë shporete me pelet për të zëvendësuar ato të vjetrat me qymyr, dru, naftë ose mazut.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, theksoi se për dallim nga viti i kaluar, është dyfishuar buxhetin për subvencionimin e kësaj mase, ndërsa përsëriti se modeli është “i pari vjen, i pari fiton”.

Risi në dhënien e subvencioneve për këtë masë është se gjysma e mjeteve të alokuara do të ndahen për kategori më të ndjeshme të qytetarëve.

“Vitin e kaluar ka pasur shumë interesim, pranuam mbi 2 mijë aplikacione, por ne arritëm të financojmë rreth 700 amvisëri, ndërsa këtë vit gjithsesi presim të shtohet numri i interesimit. Ajo që është më me rëndësi, 15 milionë apo gjysma e mjeteve të ndara, janë të parapara për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve. Për dallim nga viti i kaluar që ishte deri në 30 mijë shuma që u është dhënë amvisërive, këtë vit është deri në 25 mijë denarë për amvisëri”,- theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Të drejtë të kompensimit në këtë thirrje, siç u shpreh Bekteshi, do të kenë të gjithë ata që do të blejnë shporete me pelet pas shpalljes së thirrjes publike.

Nga Ministria e Ekonomisë shtojnë se përmes këtyre thirrjeve synojnë të stimulojnë më shumë familje për shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme të energjisë për ngrohjen e shtëpive të tyre, të cilat ndikojnë edhe në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit. (Zekirja Mexhiti, TVM2)