Zbatimi i Ligjit të gjuhëve, Agjencia e gjuhëve promovon broshurën online, Sela: Ekzistojnë vështirësi në zbatimin e shqipes
Mbi gjysma e institucioneve në vend zbatojnë Ligjin e gjuhëve....

Mbi gjysma e institucioneve në vend zbatojnë Ligjin e gjuhëve. Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve vazhdon hetimin në institucione që në fund të dalë me raport të detajuar për gjendjen faktike.
Për t’u zbutur shkeljet, sot promovuan broshurën në formë elektronike të vendosur në ueb faqen e Agjencisë. Institucionet, por edhe qytetarët, do të kenë mundësinë që të informohen mbi të drejtat për shfrytëzimin e gjuhëve në nivel lokal apo qendror.
“Tashmë Republika e Maqedonisë së Veriut ka një legjislacion më të avancuar i cili rregullon përdorimin e gjuhëve, por që gjatë zbatimit në praktikë shfaqen vështirësi, mangësi, probleme dhe sfida. Kjo broshurë nuk ndryshon ligjin, por bën një shpjegim të shkurtër praktik dhe ilustrues. Prandaj u rekomandojmë të gjithë qytetarëve, përfaqësuesve të institucioneve, krijuesve dhe praktikuesve të politikave, përkatësisht nëpunësve administrativë, ta përdorin këtë broshurë e cila do të shërbejë si një mjet që lehtëson qasjen ndaj informacioneve për sa u përket detyrimeve institucionale ndaj të drejtave të qytetarëve për zbatimin e Ligjit të gjuhëve në RMV”,- deklaroi drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela.
Ahmeti: Qytetarët mund të ankohen për neglizhim
Qytetarët informohen se mund të ankohen tek Agjencia, Avokati i Popullit dhe Inspektorati i gjuhëve, i cili do të duhet të formohet.
“Në qoftë se shfaqen tendenca për mohimin e kësaj gjuhe që në këtë broshurë është paraparë, ne duhet të shohim mënyrën se si t’i kundërvihemi kësaj, si ta zgjidhim këtë, nëpërmjet ankesave pra për diskriminim në qoftë se i bëhet qytetarit i cili kërkon të drejtën e tij në praktikë. Ekzistojnë institucione adekuate të shtetit të cilat ne duhet t’u drejtohemi atyre që në përputhje ligjore ta ndihmojmë qytetarin”,- tha udhëheqësi i sektorit për përkthim, Ahmet Selmani.
Broshura është në tre gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht. Varianti i shtypur i broshurës do të jetë gati pasi qeveria të ndajë mjete me rebalancin e buxhetit. (Meral Ismaili, TVM2)
