Data për negociata dhe lufta me korrupsionin, Kukan: Do të merrni lajme të mira nga Brukseli
Ish raportuesi për Maqedoninë, eurodeputeti Eduard Kukan...

Ish raportuesi për Maqedoninë, eurodeputeti Eduard Kukan, konsideron se Maqedonia e Veriut me siguri do të marrë datën për fillimin e negociatave në tetor.
“Vendi ka plotësuar të gjitha reformat e domosdoshme për të kaluar në një nivel tjetër në procesin eurointegrues”,- thotë ish deputeti i PE-së, Eduard Kukan, tani anëtar i Këshillit të Drejtorëve të Asociacionit Sllovak për Politika të Jashtme.
“Ka edhe tre javë deri në mesin e tetorit, kur Këshilli Evropian do të mblidhet dhe ndër të tjera do të marrë vendim për të ardhmen e vendin tuaj. Të gjithë spekulojnë, kanë mendimet e tyre se çfarë do të ndodh, mendimi im është se ju do të merrni lajme pozitive nga Brukseli. Mos festoni, por jini të dinjitetshëm, krenarë dhe paraqituni me projekte konkrete se si do të vazhdoni me zbatimin e reformave. Kjo do të ishte festa më e mirë e cila do të befasonte të gjithë, madje edhe mund t’i trishtonte”,- deklaroi ish deputeti i PE-së, Eduard Kukan.
Poposki: Opozita e përjashtuar nga procesi
Mirëpo, opozita e kryesuar nga VMRO-DPMNE, ndjehet e përjashtuar nga procesi integrues. Ish ministri i jashtëm nga radhët e VMRO-DPMNE-së, aktualisht kryetar i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Nikolla Poposki, me akuza në adresë të qeverisë.
“Nuk keni konsultuar asnjë njeri të gjallë jashtë rrethit tuaj, më së paku opozitën. Mund të jetë përllogaritje se ju sjell pikë politike, por është naive dhe e mëngët që në ditën e parë përjashtoni gjysmën e popullatës nga ai proces. Qasja që mund të zbatohet në Konventën Nacionale është se në BE nuk hyn vetëm Qeveria”,- tha kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Nikolla Poposki.
Zhernovski: Edhe opozitën do ta integrojmë në BE
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Jashtme nuk ka për qëllim që të fus Qeverinë në BE. Ka për qëllim që në BE të fusim shtetin, madje edhe opozitën. Është shumë me rëndësi që të gjithë së bashku të ndihmojmë këtë proces, pavarësisht nëse jemi në pushtet apo në opozitë”,- tha zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Andrej Zhernovski.
Pendarovski: Zero tolerancë për korrupsionin
Presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski, autokritik.
“Në rreth 30 vjet mëvetësi nuk ia dolëm të përballemi me korrupsionin dhe krimin.”- theksoi Pendarovski.
Në prag të marrjes së datës për fillim të negociatave, ai ftoi mediat dhe institucionet për luftë të pakompromis me këtë dukuri.
“Anëtarësimi në NATO dhe fillimi i negociatave me BE-në janë të pritshme për Maqedoninë e Veriut. Shumë shpejt do të hapim kapitujt për bisedimet qasëse dhe do të duhet të tregojmë rezultate në luftën kundër korrupsionit nëse duam përparim të mëtejmë. Me vjen keq në këto 30 vjet nuk ishim më efikas në ballafaqimin me këtë të keqe. Jam i bindur se nuk duhet pritur as edhe një ditë më shumë. Si shtet, si popull nuk kemi më kohë për të pritur”,- u shpreh presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski.
Ballafaqimi me korrupsionin në nivele të larta ishte edhe temë diskutimi në sesionin e tretë plenar të Konventës Nacionale për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
